Rreth 2,000 persona në vit marrin trajtim në Qendrën për Punë Sociale në kryeqytet nga 13 punëtorë sa ka gjithsej ky institucion.
Pos numrit të vogël të punëtorëve, aty mungojnë edhe psikologët, raporton KTV.
Drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, ka thënë se pos mungesës së psikologëve, që janë shumë të domosdoshëm, problem tjetër është edhe mosha e shtyrë e këtyre 13 punëtorëve.
Edhe në 11 strehimore në rajonin e Prishtinës, të cilat financohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë mungesë të psikologëve.
Kjo, sipas Zana Asllanit, drejtoreshë në njërën nga këto strehimore, thotë se po ua vështirëson punën.
Në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale thonë se janë në dijeni që ka mungesa të tilla, megjithatë qendrat për punë sociale janë kompetencë e komunave dhe se këta vetëm i monitorojnë.
Mungesa e buxhetit ka bërë që në të gjitha qendrat për punë sociale në tërë vendin të mos ketë staf mjaftueshëm, derisa institucionet vazhdimisht kanë neglizhuar financimin e strehimoreve, të cilat marrin nën kujdes persona, veçanërisht gra e fëmijë, që përjetojnë dhunë në familje.
Rastet e tilla në Kosovë janë shtuar viteve të fundit. Ditë më parë, në Prizren, një burrë vrau gruan e tij me 15 plumba, që ishte vrasja e katërt në familje, e raportuar vetëm gjatë këtij viti.