Më 17 qershor të vitit 2019, tani ish-ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha e vuri nënshkrimin në një kontratë lobimi në vlerë të 152 mijë eurove. Kompania fituese “Madison Global Strategies” ka kërcënuar shtetin e Kosovës me arbitrazh, por shumëçka rreth kësaj kontrate mbetet e dyshimtë.
Agon Sinanaj
Vetëm 3 muaj pasi ishte regjistruar si biznes në Amerikë, kompania “Madison Global Strategies” fitoi një kontratë të madhe lobimi në Kosovë. Më 17 qershor të vitit 2019, tre muaj para zgjedhjeve, aso kohe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e vuri nënshkrimin në kontratën “Shërbime të Konsulencës Ndërkombëtare për nevojat e MIE-së”.
Në bazë të kontratës bazë që arrin vlerën e 152 mijë eurove, MIE-ja obligohej që për çdo muaj të kryente pagesa në vlerë prej 19 mijë euro për kompaninë “Madison Global Strategies, LLC”. Dhe kjo, për nëntë muaj me radhë sa edhe kishte afat kontrata. Në anën tjetër, kompania amerikane ishte e obliguar që të kryente shërbime të konsulencës si dhe këshillim në favor të Ministrisë, e takime me anëtarë të Kongresit dhe të Administratës Trump.
Mirëpo, nga hulumtimi i Buletinit Ekonomik, të dyshimtë këtë kontratë nuk e bën vetëm fakti se kompania fitoi kontratë lobimi vetëm 3 muaj pasi ishte regjistruar si biznes. Gjithçka bëhet më e dyshimtë nëse shikohet përvoja në fushën e lobimit e pronarëve të kësaj kompanie.
Pronarja e kompanisë, blogere e gastronomisë
Në bazë të dokumenteve, “Madison Global Strategies, LLC” është regjistruar si biznes në shtetin e Nju Jorkut (SHBA) më 18 mars të 2019-s, në pronësi të Lauren Allaham, një gastronome nga Nju Jorku, e cila nga të gjitha publikimet në internet, nuk shihet se ka ndonjë përvojë në fushën e lobimit. (Dëshmia nga NYS Department of State)
Në bazë të të dhënave që ka publikuar nëpër rrjete sociale, Allaham del se punon në “Prime Hospitality Group”, një restorant me ushqim ‘kosher’ (sipas kuzhinës hebreje) me bazë në Nju Jork.
Allaham në internet ka disa profile ku flet për ushqime dhe shëndet si dhe një faqe blogu me emrin personal, e cila quhet “Healthy mom and wife”, (“Nëna dhe gruaja e shëndetshme”). Në këtë faqe, Lauren Allaham poston receta për gatim, këshilla për shëndet, si dhe “këshilla për një lëkurë më të mirë”. Po ashtu, ajo shihet se është më aktive në Instagram, ku poston fotografi të shumta të ushqimit dhe gatesave. (Blogu dhe Llogaria e Instagramit)
Në njërin nga postimet e saj, Allaham jep një biografi të shkurtër për veten e saj.
“Unë jam një nënë dhe një grua. Burri dhe unë përpiqemi të sjellim një mënyrë jetese të shëndetshme çdo ditë në shtëpinë tonë dhe për fëmijët tanë. Burri im është një pronar i një restoranti, kështu që ne gjithashtu përqëndrohemi në opsione të shëndetshme për ngrënie jashtë shtëpisë, të cilat ne i bëjmë pothuajse çdo natë të javës. Duke shikuar rreth qytetit të Nju Jorkut, unë shoh kaq shumë gra të bukura dhe fit dhe jam e interesuar për të shkruar për bukurinë e tyre dhe sekretet shëndetësore. Unë jam gjithmonë duke kërkuar për të sjellë një dietë dhe mjedis të shëndetshem për djalin tim dhe dy fëmijët e burrit. Unë mbaj një shtëpi ‘kosher’ kështu që jam gjithmonë në kërkim të recetave të reja të shijshme për ushqime të këndshme dhe të thjeshta për djalin tim.”
Kush fshihet në prapavijë të “Madison Global Strategies”?
Mirëpo, në bazë të të dhënave të hulumtuara, del se në prapavijë të kësaj kompanie qëndron një biznesmen amerikan i cili ka afërsi me lobistë të tjerë që kanë punuar me njerëz të afërt në Administratën Trump. Fjala është për biznesmenin e restoranteve nga Nju Jorku, Joey Allaham, i cili është burri i Lauren Allaham, në emër të së cilës është kompania “Madison Global Strategies”.
Dëshmi për këtë është “Njoftimi për nënshkrim të kontratës” të publikuar në KRPP nga Ministria e Integrimit Evropian në Kosovë. Aty, numri i telefonit i kompanisë dhe e-mail adresa, janë në emër të Joey Allaham.
Por kush është Joey Allaham?
Nga të dhënat e publikuara prej tij në internet, fjala është për një biznesmen restorantesh me bazë në Nju Jork. Po ashtu, emri i tij figuron edhe si pronar i një kompanie konsulente për patundshmëri, me emrin “Allaham Consulting”. Kjo kompani merret me vlerësimin dhe menaxhimin e pronave të paluajtshme. (Webfaqja e Kompanisë)
E kaluara e ‘rastësishme’ e Joey Allaham si lobist në SHBA
Në bazë të hulumtimit del se Joey Allaham nuk është vetëm një pronar restoranti dhe konsulent për patundshmëri. Ai ka edhe një të kaluar ‘të rastësishme’ si lobist në SHBA.
Joey Allaham, së bashku me kolegun e tij Nicolas Muzin, në vitin 2017, kanë punuar si lobistë për shtetin e Katarit. Në po të njëjtin vit, firma e Joey Allaham, “Lexington Strategies”, ka pranuar pagesa direkte nga firma e Katarit “Blue Fort Public Relations LLC”. Joey ka ndërmjetësuar në takime të shumta në mes të qeveritarëve të Katarit dhe individëve të fuqishëm të komunitetit Hebre në SHBA. (Linku nga Mediumi Amerikan Mother Jones)
Gjatë kësaj periudhe, ai me aktivitetet e tij lobuese ka shkelur Foreign Agents Registration Act (FARA)- (Aktin e Regjistrimit si Agjent i Huaj), pasi që nuk ishte regjistruar në Departamentin e Drejtësise në SHBA si agjent i huaj i shtetit të Katarit.
Sipas ligjit në SHBA, çdo amerikan i paguar nga një entitet i huaj për të promovuar brenda Shteteve të Bashkuara interesat e një qeverie, personi apo organizate të huaj duhet të regjistrohen në Departamentin e Drejtësisë si një agjent i huaj. Ata gjithashtu duhet të përshkruajnë aktivitetet e tyre dhe të zbulojnë pagesat që marrin.
Por, Allaham këtë e bëri vetëm me vonesë; ai në mënyrë retroaktive u regjistrua tek Departamenti i Drejtësisë në SHBA si agjent i huaj i shtetit të Katarit. (Dëshmia e regjistrimit)
Dëshmi tjetër se Joey Allaham filloi punën si lobist vetëm rishtazi është regjistrimi i firmës së tij “Lexington Strategies, LLC” me 16 qershor 2018. Aty ai deklaron se ka punuar si lobist për shtetin e Katarit, dhe ka pranuar 1.45 milion dollarë.
Vijon nesër….