Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka pritur sot në takim kompaninë Detecon International GmbH dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), me të cilët ka biseduar për gjendjen në Telekom dhe privatizimin e kësaj ndërmarrjeje. Në këtë takim është diskutuar lidhur me hapat që do të ndërmerren në të ardhmen, planin e projektit dhe po ashtu është diskutuar për vendet që kanë pasur privatizim të suksesshëm e që duhet të krahasohen me vendin tonë sa i përket privatizimit të Telekomit të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës është e interesuar të privatizoj pjesën vendimmarrëse të Telekomit, rreth 51 % duke qëndruar aksionarë për pjesën tjetër dhe kështu do të ndikojë në përmirësimin e kualitetit të operimit, e gjithashtu do të ndikojë në zvogëlimin e humbjeve dhe njëkohësisht do të rris efikasitetin e Telekomit”, u shpreh ministri Lluka.
Kreu i MZHE-së, Valdrin Lluka ka falënderuar Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për përkrahjen që ka dhënë në këtë proces, me ç’rast ka ndikuar edhe në rritjen e besueshmërisë dhe transparencës së këtij procesi të ndjeshëm për vendin.
“BERZH, me kërkesën tonë ka financuar në formë të grantit dhe ka përzgjedhur kompaninë Detecon, degë e kompanisë Deutche Telekom, që të përgatis Telekomin për privatizim, projekt i cili do të zgjasë rreth 5 muaj”, tha Lluka.
Ekipi nga kompania Detecon International GmbH gjatë qëndrimit në Kosovë janë takuar me akterë që ndërlidhen më këtë ndërmarrje të rëndësishme për ekonominë e vendit.