Kosova nuk po i tërheq më investitorët e huaj sikurse dikur. Përderisa në vitin 2007’të, vlera e investimeve të huaja kapte një shifër prej 440 milionë euro, tash mezi e kalon 200 milionëshin. Sipas njohësve të ekonomisë, arsye për këtë është situata politike në vend dhe ciklet e shpeshta zgjedhore gjatë viteve të fundit. Por, pavarësisht këtyre zhvillimeve, disa shtete nuk kanë hequr dorë nga investimet. Në mesin e këtyre vendeve janë Gjermania, Zvicra e Turqia, të cilat vetëm në dekadën e fundit i kanë lënë në Kosovë rreth 2 miliardë euro.
Investimet e huaja në vend po shënojnë rënie me kalimin e viteve. Milionat që shtetet e huaja i derdhnin dikur në Kosovë, tashmë kanë filluar që t’i investojnë në shtetet e tjera të rajonit.
Sipas njohësve të ekonomisë, arsyeja që po “tremben” investitorët është politika, derisa paralajmërojnë se zgjedhjet e reja do të kenë ndikim negativ në besueshmërinë e vendit për të bërë biznes.
Por, pavarësisht zhvillimeve përgjatë viteve, disa shtete nuk kanë hequr dorë nga investimet në vendin më të varfër në rajon.
Në Bankën Qendrore të Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se shtetet që investojnë më së shumti në Kosovë mbeten Gjermania, Zvicra dhe Turqia.
Përveç tyre, investime ka pasur edhe nga Britania e Madhe, Austria, Shqipëria, SHBA, Sllovenia, Italia, Franca dhe Bullgaria.
Deklarojnë se këto shtete investojnë më së shumti në patundshmëri e qiradhënie, derisa shtojnë se që nga viti 2007’ta vlera e investimeve të huaja është 7 miliardë e 252 milionë e 400 mijë euro.
“Investimet e tyre bazohen kryesisht në patundshmëri, qiradhënie dhe aktivitetet biznesore, ndërtim, shërbime financiare, energjetikë”, tregojnë në BQK.
Sipas këtij institucioni, vetëm gjatë katër muajve të parë të këtij viti, në vend janë investuar 110 milionë euro. Shtete që kanë derdhur më së shumti para në vend gjatë kësaj periudhe mbeten Gjermania e Zvicra me rreth 50 milionë euro.
“Shtetet që kanë investuar më së shumti gjatë kësaj periudhe janë : Gjermania 28.7 milionë, Zvicra 23.5 milionë, SHBA 19.2 milionë, Sllovenia me 14.4 milionë, Austria 10.2 milionë”, thuhet në përgjigjet e BQK’së drejtuar Gazetës Express.
Por, bazuar në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës, vendi nuk po i tërheq më investitorët e huaj sikurse dikur. Përderisa në vitin 2007’të, vlera e investimeve të huaja kapte një shifër prej 440 milionë euro, tash mezi e kalon 200 milionëshin.
Sipas njohësve të ekonomisë, arsye për këtë është situata politike në vend dhe ciklet e shpeshta zgjedhore gjatë viteve të fundit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se në rënien e investimeve përgjatë viteve ka ndikuar situata politike në vend dhe mungesa e vendimmarrjes.
Rukiqi thotë se edhe këto zgjedhje pritet që të kenë ndikim negativ në besueshmërinë e vendit për të bërë biznes.
“Jo stabiliteti politik, përkatësisht krizat politike, mungesa e vendimmarrjes, ciklet e shpeshta zgjedhore, kanë ndikim negativ në nxitjen e investimeve. Edhe ky cikël zgjedhor dhe sidomos vonesat në krijimin e institucioneve të reja do të kenë ndikim negativ në besueshmërinë e vendit për të bërë biznes”, ka thënë Rukiqi për Gazetën Express.
Për rënien e investimeve në vend, kishin reaguar edhe nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Kreu i OEAK’së, Arian Zeka, kishte fajësuar Ministrinë e Tregtisë e Industrisë për këtë, përderisa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, e kishte pranuar se vendet rajonale ofrojnë kushte më të mira për investitorë.
“Këtu ne si OEAK kemi thënë se faji i takon MTI-së, Agjencisë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve dhe Investimeve të Kosovës “Kiesa”, i cili është dashur të ishte shumë më i zëshëm, shumë më dinamik në promovimin e mundësive për të investuar në vend”, kishte thënë Zeka.