Afro 37 milionë euro ka shpenzuar Telekomi i Kosovës për 14 vjet për shërbime marketingu.
Kalimi i menaxhimit të kësaj ndërmarrjeje, më 2008, nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (më pas Agjencia Kosovare e Privatizimit) tek institucionet qeverisëse të Kosovës, rriti edhe shpenzimet për këtë kategori, shkruan sot Koha Ditore.
Nga 1.5 milionë euro sa janë shpenzuar deri në shpalljen e pavarësisë, më 2008, kjo shumë është rritur për 288 për qind një vit më pas, përkatësisht në 6 milionë e 96 mijë euro.
Këto dhe të tjera të dhëna janë përfshirë në raportin e Komisionit parlamentar hetimor për gjendjen në PTK.
Rreth 4.8 milionë euro u shpenzuan për marketing edhe më 2010, për të regjistruar një rënie në 1.9 milionë euro në 2011, në kohën kur PTK-ja u nda në dy ndërmarrje, Telekom dhe Posta e Kosovës.
Megjithatë, gjatë viteve 2015,2016 dhe 2017, kur ndërmarrja e re Telekomi ka ulur fitimet, shuma e shpenzimeve për marketing ishte rritur në 3 milionë euro, përkatësisht në 3.9 milionë euro gjatë vitit 2016.