Telekomi i Kosovë ka reaguar lidhur me shkrimin e sotëm në Buletinin Ekonomik me titull “Aksham Pazar në Telekom: U porositën 305 telefona smart në vlerë 171 mijë euro”.
Dona Lluka, Zyrtare për Komunikim me Publikun në Zyrën e Kryeshefit, thotë se shkrimi në disa media eletronike, me titull “ Telekomi i Kosovës blen telefona të mencur-305 për menaxhment…”, është i pasaktë dhe i pavërtetë, për arsye se sipas saj ka mbi 10 vite që Telekomi i Kosovës ka kontrata postpaid me institucione publike, komuna, universitete, kompani te ndryshme si dhe konsumatorë tjerë.
“Këta telefona janë 100% të dedikuar vetëm për konsumatorë, të cilët kanë shërbime Vala postpaid (me telefon) dhe si rrjedhojë keto janë obligime kontraktuale në mes të Telekomit dhe institucioneve të ndryshme dhe bizneseve, dhe për asnjë moment kjo blerje nuk ka destinim qe këta telefona t’i jepen në perdorim menaxhmentit. Shkrimet e tilla, kanë për qëllim që të diskreditojne Telekomin, të humbin besimin e konsumatorëve dhe si të tilla, i konsiderojmë tendencioze dhe të porositura, që ndikojnë negativisht në imazhin e Telekomit”, thuhet në reagim.
Sqarim i redaksisë:
Buletini Ekonomik siç mund të vërehet në shkrim në asnjë rast nuk e ka thënë se për kë janë blerë këta telefona. Kjo gjë nuk ceket në dosjen e tenderit prandaj në shkrim thuhet decidivisht: “Meqë tenderi ende është në fazat fillestare, ende nuk dihet kompania fituese, si dhe arsyet që e shtynë menaxhmentin në shpenzimin e gjithë këtyre mjeteve”
Me respekt,
Redaksia e Buletinit Ekonomik