Tre menaxherët me superpaga në BQK

Hendeku mes pagave të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe atyre në pagën mesatare sa vjen e rritet.

Një institucion që veçohet me paga të larta është edhe ai i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), përcjell Buletini Ekonomik.

Guvernatori Fehmi Mehmeti merr pagë më të madhe se Presidenti e se Kryeministri. Sipas asaj që ka deklaruar në Agjencinë Anti-Korrupsion, Mehmeti realizon të ardhura vjetore nga pozita e Guvernatorit prej 44 mijë e 284 eurove, kurse të ardhurat mujore i ka në vlerë të 3 mijë e 690 eurove.

Reklama e sponzorizuar

Paga të majme në BQK marrin edhe dy Zëvendës guvernatorët, Lulzim Ismajli e Sokol Havolli.

Lulzim Ismajli si Zëvendës Guvernator në këtë Bankë ka pagën më të lartë edhe se vet Guvernatori, në vlerë të 3 mijë e 761 eurove në muaj, ndërsa për një vit ai merr plot 45 mijë e 141 euro. Pagë të njejtë sikurse Ismajli në BQK merr edhe Sokol Havolli.

Megjithkëtë, këta nuk janë vetëm tre zyrtarët me paga të larta në këtë institucion të pavarur.

Kjo Bankë po ashtu numëron edhe 15 drejtorë tjerë në departamente të ndryshme brenda saj, e të cilët paguhen po ashtu hiç më pak se me nga 18 mijë deri në 25 mijë euro për secilin për një vit të plotë të punës së tyre, kurse muajin e plotësojnë me nga 1 mijë deri në 2 mijë euro si paga mujore.

Sipas përllogaritjeve të Buletinit Ekonomik, dhe në bazë të deklarimeve të pasurisë së secilit drejtor në këtë Bankë, nga buxheti i saj derdhen gjithsej 314 mijë e 606 euro vetëm për pagat e tyre. /Buletini Ekonomik/