Edhe pak ditë kanë mbetur nga dita kur pritet të shpërndahet Kuvendi, e rrjedhimisht të shpallen zgjedhjet e parakohshme.
Ditët e mbetura në pushtet, liderë të institucioneve në vend, përveç shpeshtimit të daljes në teren e pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme, janë duke i përdorur që të bëjnë fushatë, ndonëse e njëjta nuk është shpallur zyrtarisht, raporton KTV.
E shfrytëzimin e resurseve buxhetore, përmes aktiviteteve të institucioneve, për të bërë fushatë, janë duke e parë të dëmshëm njohësit e zhvillimeve në vend.
Sipas Jetmir Bakisë nga Demokracia Plus, një gjë e tillë nuk është e lejueshme me ligj dhe me të do të duhej të merreshin institucionet e drejtësisë.
Kurse analisti Imer Mushkolaj, thotë se praktika e shpenzimit të resurseve shtetërore për fushatë zgjedhore, tregon se sa mund t’u besohet liderëve aktualë edhe në një mandat tjetër.
Por aktivitetet e tilla, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, thotë se nuk janë fushatë zgjedhore.
Më 22 gusht është caktuar që të mbahet seanca e shpërndarjes së Kuvendit, derisa pritet ende data e saktë se kur do të mbahen zgjedhjet.