Vajza e “Currit” punësohet si staf diplomatik në Ministrinë e Jashtme të Kosovës

Këshilltarja politike e ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, Elena Osmani, është bërë pjesë e stafit diplomatik.

Elena është vajza e Ismet Osmanit, i njohur si Curri, i arrestuar nën dyshimet për fajde, detyrim dhe mashtrim, në maj të këtij viti.

Elena Osmani është renditur e dhjeta në listën e të përzgjedhurve, me 71.2 pikë.

Reklama e sponzorizuar

Një tjetër këshilltare e ministrit Pacolli, Mirlindë Gashi, po ashtu është në listën e zyrtarëve diplomatikë.

Duke qenë pjesë e strukturave të AKR-së, Mirlindë Gashi ka marrë 65 pikë, duke u renditur e 15-ta.

Në këtë listë, një vend në stafin diplomatik e ka zënë edhe Vjosa Sheholli.

Sheholli, për një kohë ka punuar në Zyrën e Komunikimit në Partinë Demokratike të Kosovës, e gjithashtu ishte edhe pjesë e Kryesisë së gruas, në këtë parti.

Sheholli ka qenë edhe kandidate e PDK-së për deputete në Kuvendin e Kosovës.

Ajo është renditur e nënta në këtë listë, me 73.2 pikë.

Ndërkaq, Kushtrim Kokollari është pjesë e Konsullatës së Kosovës në Milano të Italisë, si staf lokal dhe po ashtu është bërë pjesë e stafit diplomatik.

Kokollari është renditur i shtati në këtë listë, me 74.6 pikë.

KTV-ja ka raportuar në maj të këtij viti për këtë konkurs që ishte shpallur nga Ministria e Punëve të Jashtme, ku aplikuesja Alketa Spahiu tha se nuk u ftua as në intervistë, përkundër shkollimit adekuat dhe përvojës së madhe.

Edhe dy këshilltarët e Behgjet Pacollit, Liridon Sadrija dhe Fatmir Haxholli, kishin aplikuar në këtë konkurs, por ata nuk figurojnë në listën e të pranuarve për staf diplomatik./KTV