Sanksionet e BE-së e bëjnë të pamundshëm dekarbonizimin e Kosovës

Kostoja marramendëse e parashikuar nga Banka Botërore për realizimin e tranzicionit energjetik (eliminimit të plotë të qymyrit si burim për prodhimin e rrymës), është e paarritshme për Kosovën e vogël dhe të varfër (shteti më i varfër edhe në rajon). Kosova nuk mund të ketë 4,5 miliardë euro sa BB-ja ka paraparë që deri në 2050-tën të jenë të nevojshme që të bëhet eliminimi i plotë i përdorimit të qymyrit, as tani, as në vitet në vazhdim. Janë shumë para dhe “kafshatë që nuk kapërdihet” për shtetin e brishtë të Kosovës, sidomos nën sanksionet e ashpra të BE-së.

Mehmet GJATA

Kosova, realisht e ka të vështirë, për të mos thënë të pamundur, dekarbonizimin e vendit (eliminimin e qymyrit si lëndë djegëse për prodhim të rrymës dhe zëvendësimin e këtij resursi me burime të energjisë së rinovueshme), në bazë të ca vlerësimeve dhe parashikimeve të Bankës Botërore brenda afateve të përcaktuara nga asociacionet ndërkombëtare energjetike. Thjesht, kostoja marramendëse e parashikuar nga Banka Botërore për realizimin e këtij tranzicioni energjetik (eliminimit të plotë të qymyrit si burim për prodhimin e rrymës), është e paarritshme për Kosovën e vogël dhe të varfër (shteti më i varfër edhe në rajon).

Reklama e sponzorizuar

Kosova nuk mund të ketë 4,5 miliardë euro sa BB-ja ka paraparë që deri në 2050-tën të bëhet eliminimi i plotë i përdorimit të qymyrit, as tani, as në vitet në vazhdim. Janë shumë para dhe “kafshatë që nuk kapërdihet” për shtetin e brishtë të Kosovës, ose “një shumë e frikshme për ekonominë e vogël”, siç shkruan Reuters në një artikull të veçantë kushtuar çmimeve të energjisë në Evropë dhe Ballkan, përfshirë Kosovën. Kosova, pra nuk i ka këto para, dhe nuk do t’i ketë as nuk mund ta krijojë në 25 vitet e ardhshme gjithë këtë shumë parash.

“Në dhjetor, ajo nisi një ankand për të instaluar 100 MË kapacitet të erës. Por Banka Botërore vlerëson se asaj i nevojiten 100 herë më shumë – të paktën 10 gigavatë kapacitet të ri – për të përmbushur objektivin e saj për eliminimin e përdorimit të qymyrit deri në vitin 2050. Ky tranzicion vlerësohet t’i kushtojë Kosovës 4.5 miliardë euro, një shumë e frikshme për ekonominë e vogël”, ishte fare konkret Reuters.

Ndërkohë, në Raportin e Bankës Botërore lidhur me klimën dhe zhvillimin e vendit, të bërë publik në fillim të dhjetorit të 2024-tës vlerësohet se “përshpejtimi i tranzicionit energjetik për arritjen e emetimeve neto zero në mbarë ekonominë në Kosovë deri në vitin 2050 është i realizueshëm, por do të kërkojë transformim rrënjësor dhe veprim me vendosmëri në nivel kombëtar dhe rajonal. Për të arritur dekarbonizimin neto, sipas BB-së, termocentralet me thëngjill do të duhet të hiqen nga funksioni dhe të nxirren plotësisht nga përdorimi deri në vitin 2045, duke i zëvendësuar me rritje të konsiderueshme të kapacitetit të energjisë nga era dhe solare”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Energjia solare, e cila prodhohet me ndërprerje, do të duhet të plotësohet me rritjen e kapacitetit të baterive të akumulimit për t’i përmbushur nevojat e balancimit. Po ashtu vlerësohet se rritja e bashkëpunimit me vendet e BP6 dhe BE-së, dhe integrimi në tregun mbarëevropian të energjisë, do të jenë me rëndësi kritike për shkak të rrjetit të vogël energjetik të Kosovës dhe resurseve të kufizuara.

“Caku i emetimeve zero neto deri në vitin 2050 mund të arrihet me ndikim minimal në rritjen potenciale aktuale të ekonomisë. Përgjithësisht, krahasuar me skenarin referencë (SR), për të arritur emetime zero neto në mbarë ekonominë, Kosova do të duhet t’i shtojë investimet në sistemin energjetik për 760 milionë dollarë amerikanë deri në vitin 2030 dhe 4.7 miliardë dollarë amerikanë deri në vitin 2050 (të shprehur në vlera aktuale dhe në dollarë me vlerë të vitit 2020), çka është e barasvlershme me rreth 2.9 për qind të BPV-së në vit mesatarisht deri në vitin 2050. Pjesa më e madhe e këtyre investimeve, sipas BB-së, do të ishte në sektorin e energjisë elektrike për ta kaluar atë nga dominimi i prodhimit të energjisë nga thëngjilli në energjinë nga era dhe solare.

Banka Botërore në këtë raport ka numëruar edhe sfida të shumta me të cilat është përballur Kosova në zhvillimin e saj.

“Duke pasur BPV-në më të ulët për kokë në mesin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor (BP6) në vitet e fundit, Kosova është përballur me sfida të shumta në zhvillimin e saj. Tensionet politike dhe njohja e pjesshme nga komuniteti ndërkombëtar si shtet i pavarur sovran, janë bërë pengesë për investimet e huaja direkte dhe rritjen ekonomike”, thuhet aty.

Por, BB-ja nuk përmend fare masat-sanksionet e njëanshme dhe qind për qind politike të BE-së kundrejt Kosovës, dhe të cilat tani nga vrojtimi aktual i përmasave të dëmeve që i kanë sjellë këto masa Kosovës, dalin të jenë sfida më e rëndë, më e ashpër dhe me më shumë ndikim dhe pasoja edhe në realizimin e vizioneve dhe planeve të tranzicionit energjetik. Praktikisht, sanksionet e BE-së kanë stopuar qind për qind të gjitha projektet e nisura për t’u ndërtuar të energjisë solare dhe kanë ngulfatur nismat për të nisur ndërtimet në energjinë në bazë të erës. Në këtë mënyrë, Kosova vazhdon të bëjë premtime të mëdha të vazhdueshme rreth pasjes së energjisë së rinovueshme. Vazhdon të prezantojë projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë së rinovueshme në Kosovë. Por, nuk ka vepra, ose ka minimalisht objekte të energjisë së gjelbër.

Praktikisht, pos ndërtimit tër dy kapacitete që ia vlen të përmenden-ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Kamenicës, me kapacitet diku 36 megavatësh, dhe disa minihidrocentraleve me fuqi prodhuese simbolike, tani për tani Kosova nuk ka ndonjë kapacitet të energjisë së rinovueshme të finalizuar. Ndërsa, disa projekte dhe investime të nisur në këtë sektor gjatë 2024-tës, janë stopuar fare si pasojë e sanksioneve të vrazhdta dhe të pakuptimta të BE-së ndaj Kosovës. Sanksionet e BE-së kanë zhvlerësuar tërësisht edhe parashikimet e kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit, të deklaruara më 12 maj 2023, me rastin e shpalljes së ankandit të parë solar (Ankandi Solar 100 MË) se “ky potencial do të shtojë benficione shtesë sa i përket zvogëlimit të kostos dhe do ta shtrojë rrugën drejt projekteve të ardhshme për energji të ripërtërishme.

“Jemi në vijë të drejtë të një tranzicioni të nevojshëm energjetik. Ky është një progres i gjelbër i prekshëm“, kishte thënë ai.

Edhe në konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, e mbajtur në Prishtinë më 24 maj, Kurti kishte vënë në dukje se “qeveria të cilën ai e drejton, parasheh zhvillimin e energjisë së ripërtërishme në 10 vitet e ardhshme”. Ai me këtë rast ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit me FMN-në, e cila do të përdoret për energjinë e riprodhueshme.

“Marrëveshja e fundit me FMN-në na jep 80 milionë euro fillestare për ndërtimin e kondensatorëve të energjisë së rinovueshme dhe diellore me mundësinë e 80 milionëve të tjerë dhe në strategjinë tonë energjetike 2022-2031 parashikojmë për më pak se 10 vjet, më shumë se 1300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”, kishte deklaruar kryeministri Kurti me këtë rast. Asnjë beneficion shtesë ndërkohë nuk ka përfituar Kosova. Përkundrazi të gjitha projektet e nisura, edhe Ankandi i parë solar, edhe ndërtimi i parkut solar 100 MË në KEK, i cili do të mundësonte që KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut të jenë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik të vendit, duke rritur kështu edhe kapacitetet prodhuese, janë ndalur dhe për to nuk flet asnjë zyrtar dhe asnjë institucion kompetent.

Sado që këtë nuk e thotë askush, por nga sanksionet e BE-së, nga njohësit e zhvillimeve në sektorin e energjisë së rinovueshme vlerësohet se ka ngecë edhe Projekti i impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MË që do t’u shërbejë rreth 60.000 qytetarëve në Prishtinë, që vlerësohej një nga projektet më të mëdha në Evropë si dhe investimi më i madh në historinë e Republikës së Kosovës në energji, që është Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori.

Tani për ‘ngrirjen’ e zhvillimeve rreth ndërtimit të këtyre objekteve nuk flet fare as Artane Rizvanolli, personaliteti politik më kopentent rreth fatit të sektorit energjetik të vendit. Zonja Rizvanolli, e treguar shumë e shkathtë në promovimin e vizioneve të zhvillimit të sektorit të energjisë së rinovueshme është bërë memece, tani heshtë dhe nuk e thotë një fjalë të vetme konkrete, se ku ka arritur realizimi i këtyre projekteve (ndërtimi i parkut solar në KEK, 100 megavatësh, i inicuar thuaja qe 2 vjet e më shumë, ankandi i parë solar dhe projektet e tjera të apostrofuara këtu).

Po e përsërisim: Në Kosovë as në vitin 2024 nuk u kurorëzua ndonjë impiant i energjisë së gjelbër (as në bazë të erës, as solare), ndërkohë që në shumë shtete të botës “ka marrë hov dhe po shfaqet një ekonomi e re globale e energjisë së pastër”, duke e bërë real dhe evident një ndryshim të mrekullueshëm dhe dramatik në ngritjen e kapaciteteteve të reja të energjisë së rinovueshme. Dhe, përkundër se Kosovës i duhen kapacitete të reja energjetike urgjentisht, edhe sosh të energjisë së rinovueshme, po duket e zymtë, dhe thuaja e parealizueshme perspektiva e premtuar për impiante të reja, dhe patjetër që vështirë e realizueshme sipas datave dhe afateve të apostrofuara nga Banka Botërore dhe nga kryeministri Kurti se parashikohen “për më pak se 10 vjet – më shumë se 1.300 megavatë të prodhuar nga energjitë e rinovueshme”.

Me këto ecuri dhe me sanksionet e vrazhdta të BE-së ndaj Kosovës së vogël dhe të varfër, ka fare pak gjasa të përmbushen këto parashikime.

Tani dalin të jenë të diskutueshme premtimet e ministres Artane Rizvanolli dhe parashikimet ambicioze të vijëzuara në Strategjinë Energjetike të Kosovës 2022 – 2023, që siç dihet, objektiv strategjik ka dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtëritshme.

Gjithsesi, me përmasat e pasojave nga sanksionet e BE-së është i diskutueshëm edhe vlerësimi i Bankës Botërore se “përshpejtimi i tranzicionit energjetik për arritjen e emetimeve neto zero në mbarë ekonominë në Kosovë deri në vitin 2050 është i realizueshëm, por do të kërkojë transformim rrënjësor dhe veprim me vendosmëri në nivel kombëtar dhe rajonal”. Ndoshta BB-ja e di si do të përshpejtohet tranzicioni energjetik nën embargon e ashpër dhe me motiv kryekëput politik të BE-së dhe me mungesa evidente të parasë së domosdoshme për këtë punë. /Buletini Ekonomik/