Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar raportin “Perceptimi i komunitetit serb kundrejt Policisë së Kosovës: mike apo armike?”.
Shpat Balaj, hulumtues në QKSS, ka thënë se Policia e Kosovës dhe ajo e Serbisë nuk kanë bashkëpunim zyrtar për shkak të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Ai tha se në veri të vendit ka hapësirë për më shumë krim.
“Janë disa figura që kanë krijuar pushtet për krim si rasti i Milan Radojiçiq. Ai tash shihet i afërt me vëllaun e presidentit të Serbisë”, ka thënë Balaj.
“Viteve të fundit komuniteti serb është ambientuar me praninë e policisë kosovare në atë anë”.
“Serbia po e bënë një ndarje të komunitetit serb atje si besnik dhe tradhtar. Ndërkohë që serbët lokal kanë filluar ta njohin Policinë e Kosovës”.
“Por politikanët atje çdo aksion të policisë së Kosovës duan ta lidhin me shtypje të komunitetit serb andej”.
“Nëpër vite komuniteti serb është integruar edhe brenda Policisë, madje edhe duke u bërë pjesë udhëheqëse në Drejtori”.
“4.7% i besojnë Policisë së Kosovës, ndërsa 73.3% e këtij komuniteti e shohin Policinë si institucionin më të korruptuar”.
Besim Hoti, nga Policia e Kosovës në veri, ka thënë se shifra prej 4.7% nuk qëndron.
“Nëse themi kështu i bie që vetëm 4.7% janë miq të Kosovës e 95.3 janë armiq. Çka nuk qëndron, pavarësisht hulumtimit të juaj”, ka thënë Hoti, njofton Klan Kosova.
“Në 2013 kur është formuar Drejtoria Rajonale e Policisë në Veri ne kemi pasur shumë probleme madhore ndër etnike. Kemi pasur një numër të madh të barrikadave. Por tash ka ndryshuar rrënjësisht, nuk ka probleme ndëretnike apo barrikada. Ky është sukses i Policisë”.