Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media, ka shprehur mbështetjen për punëtorët e Aeroportit “Adem Jashari” të cilët për tri ditë me radhë po mbajnë grevë duke kërkuar që të plotësohen disa prej kërkesave të tyre.
“Lëvizja Vetëvendosje qëndron në solidaritet me punëtorët e organizuar rreth Sindikatës së Pavarur e ANP dhe mbështet veprimet e tyre sindikale. Kërkesat e tyre janë legjitime, ato duhet të realizohen”, thuhet në deklaratë.
Sipas tyre, në një kohë kur fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës po shtohen dhe fitimet për kompaninë private po rriten, të drejtat e punëtorëve po shkelen çdo ditë e më shumë.
“Thirrjet e menaxhmentit për ta anuluar grevën dhe protestën do të ishin legjitime, nëse punëtorëve do t’u ofrohej dialogu nga menaxhmenti dhe drejtësia nga shteti. Por, punëtorët po përballen me arrogancën e menaxhmentit dhe injorimin e shtetit. Ditëve të fundit madje u është ndaluar hyrja në punë një numri të grevistëve, e veprime të tilla nga ana e menaxhmentit duhet të ndalen sepse punëtorët dhe sindikata kanë të drejtë për t’u organizuar në greva”, vijon deklarata.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se ka kohë që ka paralajmëruar dëmet e politikave neoliberale të imponuara mbi ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës dhe i ka kundërshtuar ato.
“Imponimi është bërë në forma të ndryshme, herë privatizim e herë koncesionim, por rezultatet kanë qenë të njëjta: shpronësim i qytetarëve e shkelje e të drejtave të punëtorëve”, thuhet më tej.
Eliminimi i dallimeve në paga, pagesa për përvojën e punës, pagesa për orët e punës gjatë vikendit dhe të drejta të tjera që parashihen në Ligjin e Punës, janë vetëm disa nga kërkesat e punëtorëve të ANP “Adem Jashari” të cilët po mbajnë grevë.