20 për qind e të rinjve punojnë pa kontrata pune

Rreth 90.5 për qind e të punësuarve kosovarë kanë një kontratë individuale të punës, ndërsa pjesa tjetër vazhdojnë të punojnë pa kontrata, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas Anketës së Fuqisë Punëtore, të nxjerrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, te të rinjtë e moshës 15 deri 24 vjeç, përqindja e atyre që punonin pa kontratë ishte 20.4 për qind.

Përveç shkallës së ulët të punësimit në Kosovë, 18.2 për qind e atyre personave të punësuar punonin në vende pune të paqëndrueshme.

Reklama e sponzorizuar

Shprehur në numra, 64,957 persona nga 357,340 të punësuar i përkasin kategorisë së punësimit të paqëndrueshëm, punësim ky në të cilin prijnë më shumë meshkujt.

Nga personat, që kishin kontratë pune, vetëm 38.4 për qind e tyre kishin një kontratë të përhershme për punën e tyre kryesore, ndërsa 61.6 për qind kishin kontrata vetëm të përkohshme.

E këta që kishin kontrata të përkohshme, kur u pyetën se pse kishin këtë lloj kontrate rreth 94.7 për qind e të intervistuarve raportuan se nuk kishte asnjë lloj tjetër kontrate në dispozicion për ta.

Një numër i madh prej 69.0 për qind i të papunëve raportuan se janë të papunë për më gjatë se 12 muaj.

Sipas tremujorit të dytë të AFP-së për këtë vit, në Kosovë ka pasur 121,312 persona të moshës 15-64 vjeç, që ishin të papunë, 81,453 nga të cilët ishin meshkuj dhe 39,859 femra, dhe shkalla e papunësisë ishte 25.3 për qind, shakllë kjo e cila ishte më e lartë tek femrat me 32.7 për qind, se sa te meshkujt.

Ndërkaq sa u përket pagave, ato neto të shumicës së punonjësve ishin midis 400 deri në 500 euro në muaj, por janë vërejtur edhe dallime gjinore me një përqindje prej 4.9 për qind më të lartë te femrat se sa te meshkujt.

Shumica e të punësuarve në vend kishin pozita pune si në: shërbime dhe shitje, si profesionistë, në profesione elementare dhe si punëtorë zejtarie.

Pothuajse, gjysma e femrave të punësuara ishin: profesioniste, teknikë dhe profesione që lidhen me to me 37.8 për qind, kurse 23.3 për qind në shërbime dhe shitje dhe 12.6 për qind ishin në profesione elementare.

Ndërkaq, meshkujt ishin më të shpërndarë nëpër sektorë, por shumica ishin të punësuar si: punonjës në shërbime dhe shitje, si punëtorë zejtarë dhe të ngjashëm me të, profesione elementare ndërsa 11.2 për qind prej tyre ishin profesionistë.

Tregtia, ndërtimtaria, prodhimi dhe arsimi vazhdojnë të jenë disa nga fushat që punësojnë më shumë persona në vendin tonë.

Arsimi, tregtia dhe kujdesi shëndetësor ishin tre punëdhënësit kryesorë për femrat duke punësuar 51.6 për qind të femrave. Ndërsa, tregtia, ndërtimtaria dhe prodhimi janë sektorët më të zakonshëm të punësimit për meshkujt me 48.9 për qind të meshkujve të punësuar. /Buletini Ekonomik/