Anulohet dhënia e kontratës për operatorin ekonomik, i cili dyshohet se i hartoi vet paramasat dhe listën e çmimeve të tenderit

Tenderi “Pajisje Mjekësore për Nevojat e QKMF– së” dhe vlerë të parashikuar prej 68,654.00 euro, i komunës së Rahovecit, ka lindur dyshimte se operatori ekonomik fitues MADEKOS mund të jetë vet autor i hartimit të dokumentit të listës së çmimeve, respektivisht paramasës së tenderit, i cili është publikuar në platformën e-prokurimi.

Mbi bazëën e dyshimeve të lartëpërmendura dhe pas analizimit të dokumenteve të tenderit INPO ka gjetur se dhënia e kësaj kontrate është në kundërshtim me nenin 65 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili në mënyrë të qartë ndalon pjesëmarrjen e operatorëve ekonomik në përgatitjen apo dhënien e ndihmës në hartimin e njoftimit të kontratës ose dosjes së tenderit, ose në përgatitjen e ndonjë pjese të tyre, që shfrytëzohet nga autoriteti kontraktues dhe se këto veprime përbëjnë konflikt të pastër të interesit.

Tutje, pas intervenimeve të INPO-s komuna publikon njoftimin për anulimin e aktivitetit të prokurimit, me arsyetimin se “…bazuar në kërkesën për sqarim nga organizata jo-qeveritare Iniciativa për Progres – INPO, me datë 03.05.2023, tek Përshkrimi i Çmimeve Pajisje Mjekësore për nevojat e QKMF – së, te vegza Properties – Detales del që Author i këtij Përshkrimi të Çmimeve është MADEKOS.”

Reklama e sponzorizuar

Rrjedhimisht, INPO me arsye dyshon se zyrtarët komunal së bashku me zyrtarët e operatorit ekonomik kanë ndërtuar skema të mashtrimit në prokurimin publik me qëllim të përfitimit për vete apo persona të tjerë, përmes përshtatjes së paramasave të artikujve për tenderim si dhe dhënies së rreme të deklaratës nën betim se të njëjtit i plotësojnë kërkesat e përshtatshmërisë sipas nenit 65 të Ligjit për Prokurim Publik.

INPO mirëpret reagimin e komunës për të parandaluar nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik i cili në kundërshtim me ligjin ka arritur të dal fitues i kontratës. Megjithatë, të njëjtës i bën thirrje që të mbajë përgjegjës të gjithë zyrtarët e përfshirë në këtë skemë të dyshuar të mashtrimit dhe fton organet e ndjekjes që sipas madatit të tyre të hetojnë këtë tender për shkeljet e dyshuara.