Aparati për diagnostikimin e hershëm të leukemisë shfrytëzohet si “dekor” në QKUK

Aparati, i cili bën diagnostikimin e hershëm të leukemisë tek fëmijët ka gjashtë vjet që rri kot në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ky institucion ka dështuar që për kaq vite të përgatisë stafin për përdorim, dhe për pasojë asnjë pacientit nuk i janë bërë analizat me të. Analizat e ngjashme që kryhen në Maqedoni dhe Shqipëri kushtojnë ndërmjet 600 e 700 euro.

QKUK-ja është institucioni i vetëm shëndetësor në Kosovë, i cili e posedon aparaturën për “Flow Citometry”, donacion i organizatës joqeveritare “Ndihmë Fëmijëve me Kancer” (NFK). Drejtuesi i kësaj organizate, Ilir Gorani, ka deklaruar se QKUK-ja nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm për t’i dërguar mjekët për specializim në Austri.

“QKUK-ja s’ka qenë e gatshme për ta funksionalizuar këtë aparaturë. Reagensët janë siguruar nga organizata “ Care for Kosovo Kids” si donacion. Aparatura nuk është amortizuar, sepse shoqata jonë vazhdimisht ka paguar teknikë specialistë për ta mirëmbajtur”, ka deklaruar Gorani.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, janë katër mjekë specializantë të QKUK-së që kanë kryer trajnimin në Austri dhe se deri në fund të muajit tetor, “Flow Citometry” do të vihet në funksion. /Koha.net/