Pas veçimit të procedurës, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija si dhe tre të akuzuarve të tjerë, Izet Beqiri, Qefser Baholli, si dhe Florjan Petani, të cilët akuzohen për dallavere me viza italiane.
Pasi që ka ndodhur ndryshimi i trupit gjykues, gjykimi ka filluar rishtas, me ç’rast të akuzuarit sërish janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa për seancë janë ftuar 20 persona për të dëshmuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prej tyre vetëm shtatë i ishin përgjigjur ftesës, mirëpo pasi që njëri dëshmitar është ftuar të dëshmonte, prokurorja e PSRK-së, Florije Shamolli ka thënë se ka një listë me emra të dëshmitarëve që kërkon të dëgjohen dhe ai dëshmitar nuk është ndër ta.
“Nga lista që ne e kemi ky dëshmitar nuk ka të bëj me pesë të akuzuarit që janë këtu, por me të akuzuarit e tjerë ndaj të cilëve është veçuar procedura”, ka thënë prokurorja Shamolli.
Sipas saj, nuk ka mundur që më parë të prezantonte këtë listë të dëshmitarëve për shkaqe shëndetësore.
Por, njëri nga dëshmitarët e ftuar, që ishte në listën e prokurores, është dëgjuar në seancën e së hënës.
Dëshmitari Agron Arifi ka thënë se më 14 gusht 2015, kishte dhënë një deklaratë në polici dhe mbetet pranë asaj deklarate.
Ai ka thënë se atë deklaratë e kishte dhënë lidhur me një vizë Shengen italiane në vitin 2012.
“Për vizën Shengen kom ni se dikush jep në fshatin Prilep, i kom than atij personi po kom qef me dal në vende të Evropës për me punu, më ka thënë se muj me ta bo vizën italiane, çmimi është 4000 euro, por unë ja kom dhënë vetëm 500 euro dhe më ka mbet me i dhan edhe 3500, me aq sa më kujtohet ai person ka qenë Ismet Loka”, ka thënë dëshmitari Arifi.
Me këtë person, ai ka thënë se është takuar në Gjakovë, në restorantin “Kompresor”.
“Të hollat ia kam dhënë vetëm 500 euro, më pas mi ka lyp edhe disa tjera për pasaportë dhe kur ka kry punë ja kom jep edhe 3500 euro. Ai më ka kry atë pasaportë, vizën ma ka dhënë ku kom pas me shku, unë nuk kam aplikuar askund, pas një jave ai ma ka pru vizën italiane multi, për gjashtë muaj, por vetëm për 30 ditë shfrytëzim”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se këto katër mijë euro i kishte dhënë vetëm për vizë, ndërsa biletën e kishte paguar vetë, ku sipas tij, këtë vizë e kishte shfrytëzuar, e ata në Itali i kishin treguar se i ka 30 ditë shfrytëzim për këtë vizë.
Ai ka thënë se personit Ismet Loka i kishte dhënë certifikatën e lindjes, pasaportën disa fotografi, ndërsa sipas tij, prej momentit kur e kishte marrë vizën, personi Loka ishte zhdukur dhe ai s kishte dëgjuar për të më.
Ky dëshmitar ka deklaruar se nuk kishte plotësuar as një aplikacion, as në ambasadë, as diku tjetër.
“Unë jam në dijeni se pas dy viteve kur kam qenë në polici e kom pa se kanë qenë nënshkrime tjera, e jo i imi dhe aty kom kuptu se dikush tjetër ma ka mbush aplikacionin. Kur jom kthy në Kosovë, më kanë thirr në Prishtinë në polici, e unë rastësisht e kam parë Lokan, por ai më ka thënë se u kry puna e nuk ka asgjë më me mua. Më kanë kontrollu në aeroport dhe iu kom thanë se kom vizë turistike, kom shku në Gjenevë, më kanë kontrollu zviceranët, e kanë kontrollu vizën edhe më kanë lëshuar. Unë më pas jam kthyer vullnetarisht në Kosovë se s’kom dashtë me nejt në të zezën”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se kishte qëndruar në Zvicër katër muaj, por ka shtuar se nuk e din se si Ismet Loka e ka bërë që ai ka qëndruar atje vetëm një muaj, duke thënë se është i dëmtuar nga Loka.
Në seancën e së hënës, ka qenë i paraparë të dëgjohet edhe një dëshmitar tjetër, i cili është propozuar nga ana e PSRK-së.
Ndërkaq, gjykatsja Naime Krasniqi-Jashanica, ka marr vendim për ta mbyllur seancën, me arsyetimin se për shkak të mbrojtjes së interesit të dëshmitarit të radhës, të cilit nuk i është zbuluar identiteti, sipas saj, seanca do të mbyllet për publikun.
Ndryshe, pas dështimeve të vazhdueshme për t’u mbajtur gjykimi lidhur me akuzat për dallavere me vizat italiane, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 korrik 2019, e ka veçuar procedurën ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit Astrit Haraqija, si dhe tre të akuzuarve tjerë.
Një vendim i tillë është marr në seancën e cila ishte në prag të dështimit për shkak të mungesës së të akuzuarës Liridona Beqiri.
Por, pas diskutimeve rreth zvarritjes së vazhdueshme të kësaj procedure, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica ka vendosur që të veçohet procedura në këtë rast.
Pas veçimit, Ukë Rugova, Astrtit Haraqija, Izet Beqiri, Qefser Baholli dhe Florjan Petani, do të gjykohen ndaras nga të akuzuarit e tjerë në këtë rast.
Ndryshe, seanca e paraparë më 14 qershor 2019, kishte dështuar të mbahej pasi kishin munguar pesë të akuzuarit në këtë rast, Florjan Petani, Adem Koskoviku dhe Fadil Ahmeti, Hasan Shaqiri dhe Beg Shaqiri.
Kjo kishte bërë që as pas më shumë se një viti e gjysmë të mos vazhdonte gjykimi në këtë rast.
Në nëntorin e vitit 2017, kur ishte mbajtur seanca e fundit, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.
Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.
Pasi që lënda ishte transferuar te gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.
Në seancën e 29 janarit, gjykatësja Krasniqi-Jashanica kishte njoftuar se do të bisedojë me prokuroren Florije Shamolli lidhur me veçimin e procedurës ndaj disa të akuzuarve, mirëpo lidhur me këtë ende nuk ka ndonjë përgjigje nga ana e gjykatës.
Kurse, në seancën që ishte mbajtur në janar të vitit 2017, Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.
Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Visar Beqiri, si dhe Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqiri, kishin bërë kërkesë në Gjykatën Supreme për mbrojtje të ligjshmërisë.
Madje, avokati Beqiri e kishte kundërshtuar edhe seancën e mbajtur më 22 nëntor 2017, pasi sipas tij, nuk do të duhej të mbahej një seancë e tillë, përderisa kërkesa e tij, ende nuk ishte shqyrtuar nga Gjykata Supreme.
Kërkesën për mbrojtjes të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, ata e kishin paraqitur pasi që Gjykata e Apelit më 25 shtator 2017, kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarve në këtë rast.
Kurse, Gjykata Supreme, në shkurt të vitit 2018, kishte refuzuar si të papranueshme kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruara nga avokatët Afrim Salihu dhe Besnik Berisha.
Sipas arsyetimit të vendimit të Supremes, thuhej se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet vetëm kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore, e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë.
Ndërsa, në këtë rast, sipas arsyetimit, procedura nuk ka përfunduar në formë të prerë, andaj kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e palejuar.
Seanca e fundit ndaj Ukë Rugovës dhe 19 të tjerëve ishte mbajtur më 22 nëntor të vitit 2017, por edhe ajo ishte shtyrë me kërkesë të gjykatësit Petrov Petkov, i cili kishte kërkuar veçim të procedurës për të akuzuarit Ukë Rugovën, Izet Beqirin, Florjan Petanin dhe Qefser Bahollin.
Këtë propozim, e kishte kundërshtuar prokurori i atëhershëm i rastit, Alan Casnick, i cili kishte thënë se një veçim i tillë do të ishte i panevojshëm, ndërsa disa nga mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar kohë që të deklaroheshin për këtë propozim.
Në bazë të kësaj, gjykatësi i atëhershëm Petkov, u kishte dhënë shtatë ditë kohë mbrojtësve të të akuzuarve, që të paraqesin mendimin e tyre me shkrim dhe pas kësaj, gjykatësi kishte thënë se do ta caktonte seancën tjetër për këtë rast.
Ndryshe, edhe në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.
Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.
Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.
Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.