Elektrofiltrat në Kosovën B lënë “pezull’ projektin e “këndelljes” së madhe të këtij termocentrali

Termocentrali 'Kosova B'

Me projektin për regjenerimin e detajizuar teknik të të dyja blloqeve të termocentraleve Kosova B (një remont përtej atij të përgjithshmit, ose një remont superkapital), që po vonohet për shkak të vonesës së vendosjes së elektrofiltrave, është paraparë të bëhen praktikisht “fringo” edhe turbinat, edhe gjeneratorët si dhe stabilimentet e tjera të këtyre “fabrikave” të rrymës. Realizimi i të gjitha punëve për rivitalizimin në këto përmasa, do të kushtonte diku rreth 55 milionë euro. Këto mjete, KEK-u i ka siguruar nga financat vetanake me kohë, ndërsa është kontraktuar si punëkryes General Elektrik (GE) i mirënjohur.

Mehmet GJATA

Shtyrja e implementimit të projektit për ndërrimin e elektrofiltrave në “Kosovën B” që nga 2019-ta (së fundi është shtyrë për në prill të 2025-tës me kërkesë të BE-së) në zhvillimet elektroenergjetike të Kosovës, ka edhe pasoja të tjera pos zvarritjes disavjeçare për ta relaksuar ambientin e superndotur përreth kompleksit elektroenergjetik të vendit.

Reklama e sponzorizuar

Duhet thënë se ky projekt, i planfikuar që në fillim të financohet nga fondet e BE-së, në radhë të parë është paraparë për të ndaluar një herë e mirë “vjelljen” nga tymtarët e termocentraleve Kosova B pa kontroll të një sasie të madhe ndotësish potencial të ambientit, përkatësisht relaksimit të natyrës përreth këtyre termocentraleve, që nënkuptohet edhe pasjen e ajrit shumë më të pastër në Obiliq, në fshatrat gjithandej rreth e përqark, por edhe evitimin e ndotjes enorme të ambientit brenda kryeqytetit, që fatkeqësisht shtrihet në afërsi të drejtpërdrejtë me “fabrikat’ e rrymës.

Por, siç u tha më lartë, nisja e punëve për realizimin e projektit për ndërrimin e filtrave në termocentralin Kosova B, është shtyrë disa herë edhe pse ka kohë që është i rrumbullaksuar edhe financiarisht ky projekt. Gjithmonë është gjendur ndonjë arsye e shtyrjes së këtij projekti tepër të rëndësishëm edhe për ruajtjen e ambientit nga ndotja e tymtarëve të termocentralit të vjetëruar tashmë Kosova B, edhe për zgjatjen e jetës së këtij termocentrali.

Së fundi, si afat i parashikuar, por edhe i premtuar, për të nisur puna për ndërrimin e elektrofiltrave, ishte caktuar prilli 2024, por tani edhe ky afat është shtyrë, ndërsa afati i ri i nisjes së këtij projekti tash është paraparë të jetë prilli 2025. Këto fakte i ka bërë tashmë të ditura Buletini Ekonomik shumë herë nëpërmjet publikimeve tematike rreth kësaj çështjeje. Mirëpo, zvarritja e një projekti tjetër, pokështu shumë i rëndësishëm për të tashmen dhe sidomos për të ardhmen e KEK-ut, me kosto evidente për sistemin elektroenergjetik të vendit dhe që është ndërlidhur nga vendimmarrësit në KEK me fillimin e punëve rreth vendosjes së elektrofiltrave, nuk është se është bërë shumë i njohur në publik. Bëhet fjalë për projektin për regjenerimin e detajizuar teknik të të dy blloqeve të termocentraleve Kosova B (një remont përtej atij të përgjithshmit, ose një remont superkapital). Nuk është folur mjaftueshëm pra, për projektin që do të “këndellte’ në përmasa të mëdha të pritshme stabilimentet e të dy blloqeve, duke parashikuar saktësisht zgjatjen e jetës për B1-shin dhe B2-shin, së paku edhe për nja 20-25 vjetët e ardhshëm.

Është bërë me kohë edhe projekti i fizibilitetit, dhe në bazë të këtij projekti, realizimi i të gjitha punëve për rivitalizimin në këto përmasa, që nuk janë bërë më parë, do të kushtonte diku rreth 55 milionë euro. Këto mjete, KEK-u i ka siguruar nga financat vetanake me kohë. Ndërsa, është kontraktuar që në nismë të kësaj ideje edhe punëkryesi i njohur ndërkombëtar, që është General Elektrik (GE) i mirënjohur, trashëgimtari Allstom-it po ashtu shumë të njohur, i cili është prodhues i turbinave, gjeneratorëve dhe shumicës së stabilimenteve që përmbajnë të dy blloqet e Kosovës B.

Po, kështu, është paraparë, që me qëllim që të mos rrezikohet ndjeshëm furnizimi i konsumit të Kosovës me rrymën e prodhuar në kapacitetet vendore, punët riparuese të ndërlikuara, gjithsesi dhe që duan goxha kohë të gjatë, të bëhen suksesivisht, ose njëherë në njërin bllok, pastaj në tjetrin. Këto projekte, sipas zyrtarëve të KEK-ut kërkojnë rëndom 6 deri në 9 muaj punë intensive për t’i finalizuar ato, ose për ta përmbyllur këtë remont të këtyre përmasave në njërin bllok. Dhe shtyrja e nisjes së punëve rreth këtij projekti, sipas zyrtarëve të KEK-ut, është bërë me të vetmen arsye për të kompenzuar kohën, që nevojitet për t’ia dedikuar domosdoshmërisht edhe vendosjes së elektrofiltrave, edhe rivitalizimit të madh të dy njësive prodhuese të Kosovës B.

Prandaj, me projektin e vendosjes së elektrofiltrave është ndërlidhur ngusht dhe deri tash pandashëm, edhe projekt i rëndësishëm që ka të bëjë me rivitalizimin e tërësishëm të turbinave dhe të gjeneratorëve të Kosovës B. Ky projekt, për të cilin tashmë është i gatshëm i tërë dokumentacioni, por edhe mjetet e siguruara nga vet KEK-u (55 milionë euro), po shtyhet, sipas zyrtarëve të KEK-ut, për shkak të racionalizimit të kohës. Është menduar deri tash që kjo punë të bëhet gjatë ndërprerjes së prodhimit në secilin bllok të Kosovës B për të vendosur elektrofiltrat, me qëllim që të mos bëhet dy herë nga 7-8 muaj ndërprerja e prodhimit në këtë termocentral. Me fjalë të tjera, është menduar dhe është vendosur që kur të fillojë instalimi i elektrofiltrave në njërin bllok, qoftë në B1, qoftë në B2, të nisin edhe punët rreth rivitalizimit të detajuar të turbinës dhe të gjeneratorit, në të njëjtin bllok ku kanë nisur punët rreth vendosjes së elektrofiltrave.

Kronologjikisht, pak a shumë kështu janë shtyrë punët rreth nisjes së vendosjes së elektrofiltrave në TC Kosova B: Fillimisht ka qenë e planifikuar që të nisë puna më 2020, por është shtyrë për 2021 për shkak të COVID 19. Dhe sërish është shtyrë për shkak të pandemisë për ta riplanifikuar nisjen e punëve më 1 shkurt 2022. Pasi punimet ishin planifikuar të fillonin në shkurt të vitit 2022, ato ishin shtyrë për të filluar në vitin 2023. Pastaj, nisja e këtyre punëve, të planifikuara të bëhen në vitin 2023, është shtyrë për vitin 2024. Fondi prej 76,4 milionë eurosh, mjete të nevojshme për finalizimin e këtij projekti rivitalizues në Kosovën B, është i siguruar nga BE-ja dhe nga KEK-u. Projekti për ndërrimin e elektrofiltrave në “Kosovën B” së fundi është shtyrë të nisë më 2025 me kërkesë të BE-së, me arsyetimin se janë paraqitur ca probleme të paparashikuara me kontraktuesit. Ndërsa, disa zëra në KEK, shtyrjen e fundit nga BE-ja e ndërlidhin me pasojat e masave ndëshkuese të BE-së për Kosovën, për shkak të zhvillimeve politike të ndodhura në veri të Kosovës.

Tani, në KEK dëgjohen edhe zëra të inxinierëve, të cilët nuk e arsyetojnë ndërlidhjen e rivitalizimit me çdo kusht me nisjen e vendosjes së elektrofiltrave. Sipas tyre, nuk mund të pritet pafundësisht nisja e implementimit të elektrofiltrave, duke e pasur parasysh situatën e vështirë elektroenergjetike të vendit, sidomos në periudhën e dimrit. Ata vazhojnë të arsyetojnë nisjen një orë e më parë të projektit rivitalizues, duke kërkuar që punët të zhvillohen në muajt e verës, kur ka më pak nevojë konsumi i vendit për energji elektrike. Dhe, rivitalizimi i përmasave të projektuara, që pritet të realizohet, sipas inxhinierëve, përkrahës të idesë së nisjes një orë e më parë të këtij projekti pa e ndërlidhur me atë të elektrofiltrave, do t’i sillte shumë dobi vendit dhe kthesë në furnizimin e Kosovës me rrymë. Me këtë rivitalizim, do të shtohen 28 deri në 30 megavatë-orë energji nga të blloqet e “këndellura” të Kosovës B, do t’iu zgjatej jeta për 20 e më shumë vite këtyre termocentraleve të stërvjetruara tashmë dhe do të krijoheshin kondita të mira për një prodhim stabil afatgjatë në të dy njësitë e rivitalizuara. /Buletini Ekonomik/