Parafushata i ka mobilizuar shumë diplomatë të Kosovës. Një pjesë e tyre kanë braktisur detyrat me të cilat i ka ngarkuar shteti dhe janë vënë në shërbim të aktiviteteve që partitë politike janë duke i zhvilluar në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit.
Burime të gazetës kanë thënë të mërkurën se një pjesë e tyre këtë angazhim janë duke e demonstruar në vendin ku ndodhen me mision, e të tjerë edhe në Kosovë.
“Shumë misione, e veçanërisht në rajon dhe në vendet e Evropës, janë kthyer në shtabe të disa partive politike që kanë pasur ndikimin më të madh në emërimin e anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm. Ka edhe diplomatë që, në kundërshtim me Kushtetutën, janë përfshirë edhe në listat e kandidatëve për deputetë”, ka thënë një burim i gazetës në Ministrinë e Punëve të Jashtme. “Formalisht, një memo i është përcjellë stafit diplomatik, me të cilën kërkohet të mos zhvillojnë aktivitete partiake”.
Shërbimi i jashtëm vuan nga politizimi i skajshëm. Gazeta ka raportuar vazhdimisht për militantë partiakë që jashtëligjshëm bëhen pjesë e shërbimit, e madje pajisen edhe me gradat më të larta, sikur është ajo e ambasadorit. Nga gradimet e fundit, është ajo e deputetit të Partisë Demokratike, Nait Hasani, i cili është dërguar ambasador në Tiranë. /Koha.net/