Drejtori i Bordit dyshohet për konflikt interesi

Sejdë Tolaj muaj më parë është zgjedhur anëtar i Bordit të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, mirëpo njëkohësisht mbanë pozitën edhe të drejtorit në Agjencionin Kosovarë për Produkte Medicinale (AKPM).

Mbajtja e dy pozitave të tilla në institucione është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, përkatësisht Nenit 5, ku thuhet se personi zyrtar nuk duhet të ushtroj funksione administrative, mbikqyrëse, apo përfaqësimi në shoqërinë tregtare, firma, institucione, kooperativa, fonde apo agjencione.

Tolaj në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit(AKK) ka shkruar se është drejtor në AKPM, por jo edhe në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina”.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, ai ka deklaruar se sipas një vendimi intern e luan rolin e zyrtarit kryesor financiar në AKPM, pozitë kjo, e cila, sipas tij, është profesionale dhe nuk përbën konflikt interesi, ndonëse në dokumente zyrtare i figuron emri i drejtorit në këtë Agjencion.

“Në bazë të një vendimi intern e ushtroj funksionin e zyrtarit kryesor financiar dhe kjo nuk paraqet konflikt interest”, ka deklaruar Tolaj.

Ai madje është arsyetuar se pse nuk i figuron pozita e Drejtorit të Bordit në Ujësjellës në formularët e deklarimit të pasurisë në AKK. “Pasurinë në Agjencionin Anti Korrupsion e kam deklaruar në muajin mars, përderisa në Bordin e Ujësjellësit jam zgjedhur diku në muajin qershor. Vitin tjetër do ta deklaroj edhe për Ujësjellës”, ka thënë Tolaj.

Për më tepër Sejdë Tolaj më 22 korrik të këtij viti është emëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, edhe kryesues i Komisionit të Auditimit në Ujësjellës.

Përndryshe, me rastin e zgjedhjes së Tolajt në Bordin e Ujësjellësit “Prishtina” mediet kishin raportuar se ai ka qenë anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila udhëhiqet nga kryeministri në largim Ramush Haradinaj.

E kaluara e tij politike është e lidhur me disa parti politike. Por, së fundmi ka qenë pjesë e partisë së kryeministrit. Ai ka qenë kryetar në forumin rinor të LDK-së, sekretar i përgjithshëm në LDD, e më pas në partinë e kryeministrit AAK, si anëtar i kryesisë së partisë së kryeministrit Haradinaj.

Por, ai ka thënë se nga viti 2018 është dorëhequr nga pozitat që kishte në partinë e kryeministrit.