Nga rezervat shtetërore u financua mijëra euro Klubi ku themelues janë Devollët

Nga fondi i rezervave shtetërore, Qeveria Haradinaj ka financuar me mijëra euro aktivitetet e Klubit të Prodhuesve të Kosovës (KPK), i njohur si asociacion i bizneseve, por që mbron interesat e ngushta të një grupi të caktuar të bizneseve.

Për zhvillimin e fushatës “Made in Kosova”, ky asociacion përfitoi rrafsh 35 mijë euro nga taksapaguesit kosovarë. Paratë u ndan nga fondi i rezervave shtetërore.

Nën qeverisjen Haradinaj rezervat shtetërore nga 4.8 milionë euro sa ishin, kanë rënë në vetëm 158 mijë euro.

Reklama e sponzorizuar

Sipas raportit të shpenzimeve për periudhën Janar-Shtator 2019, këtë vendim kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj e kishte marrë me 22 janar të vitit 2019, përcjell Buletini Ekonomik.

Në mesin e bizneseve që figurojnë si anëtarë të Klubit të Prodhuesve të  Kosovës (KPK), është kompania Devolli Group, me pronar Blerim Devollin. Kjo kompani i prinë listës së themeluesve të këtij asociacioni.

Blerim Devolli në KPK mban edhe pozitë ekzekutive si anëtar i Bordit.

Klubi, bazuar në anëtarësinë e listuar në ueb faqe, përfaqëson interesat e 18 kompanive të mëdha në Kosovë, përfshirë këtu edhe kompanitë “Fluidi”, “Trepharm”, “Rugove” etj.

Mirëpo ky rast nuk është  i vetmi që ky asociacion përfitoi nga buxheti i shtetit. Grant prej 50 mijë euro për zhvillimin e një Ueb platforme online, i kishte dhënë edhe Ministria e Inovacionit.

Edhe grantin, KPK e përfitoi në emër të promovimit të prodhimeve vendore.

“Qëllimi kryesor është zhvillimi i një Ueb Platforme për promovimin e kompanive dhe produkteve Kosovare në mbarë botën”, titullohet projekti që është në mesin e fituesve për grante të vitit 2018 nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. /Buletini Ekonomik/