Finlanda kërkon që taksa të lihet anash e të vazhdojë dialogu me Serbinë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim homologun e tij finlandez, Pekka Haavisto.

Pas takimit Pacolli ka bërë të ditur se me ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës ka biseduar për zhvillimet e fundit në Kosovë, raporton KTV. Ai tha se nga homologu i tij finlandez ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave.

“Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Finlandës janë marrëdhënie të mira. Nuk kemi asnjë problem i cili mund të pengojë në zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Shfrytëzova rastin që ta informoj kolegun tim për situatën e krijuar pas vendimit që Kosova të shkojë në zgjedhje. E informova që jemi në mes të fushatës zgjedhore. Po ashtu, e informova që qeveria e ardhshme do të jetë shumë më e kujdesshme në fillimin e kushteve për të filluar dialogun me Serbinë dhe për të kryhet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. E informova se Kosova është duke punuar në implementimin e marrëveshjes së stabilizim asocimit. Duke ditur se ne kemi marrë disa pëlqime nga Bashkimi Evropian për tërheqjen e vizave për kosovarët, mbetet edhe vendimi i fundit dhe kolegu im tha që do të angazhohet me gjithçka që ka në mënyrë që edhe kosovarët të udhëtojnë lirshëm. Unë shpreha dëshirën që kjo të ndodh gjatë presidencës së Finlandës”, tha Pacolli.

Reklama e sponzorizuar

Kurse ministri finlandez tha se përkundër se do të punojnë në përkrahjen e heqjes së vizave për kosovarët tani kjo çështje i takon Këshillit të BE-së. Ai tha se duhet të taksa ndaj produkteve serbe duhet të lihet anash e bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojnë.

“E përmendët edhe liberalizimin e vizave, ne jemi duke punuar por është një fushë që është çështje e Këshillit të Bashkimit Evropian mirëpo jemi duke punuar edhe në atë çështje. Ka disa çështje që ju përmendët e që nuk kanë avancuar aq sa do të donim siç është dialogu Kosovë-Serbi, e keni mbështetjen tonë të plotë për të vazhduar bisedimet. Neve nuk na pëlqen që ka avokim kundër jush në disa kontekste. Kjo nuk është e pranueshme dhe gjithashtu ka disa çështje sa i përket tarifës dhe politikave. Shpresoj të gjitha këto çështje të lihen anash dhe bisedimet me Serbinë të vazhdojnë”, ka thënë Haavisto, përcjell KTV.

Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto, gjatë ditës do të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.