Një hetim i nisur afro dy vjet e që kishte rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve në Ministrinë e Infrastrukturës, dyshohet që është dëmtuar nga një hetues policor i Krimeve Ekonomike.
Task-Forca kundër korrupsionit pati nisur një hetim në lidhje me dyshimet se Ministria e Infrastrukturës po punësonte ekzaminerë për testin për patentë shoferë njerëz të cilët ishin të lidhur me autoshkolla, shkruan sot Koha Ditore.
Për hetimin që kishte rezultuar me arrestimin e pesë drejtorëve të departamenteve të ndryshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Pjetër Ndout, që është këshilltar i ministrit në detyrë, Pal Lekaj, sipas burimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, të dyshuarit e kanë kuptuar nga A.G. (emri i njohur për redaksinë), hetues në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike.
Një burim brenda Inspektoratit Policor ka shpjeguar për gazetën se një gjë e tillë ishte kuptuar vetëm pas arrestimit të këtyre zyrtarëve.
Sipas këtij burimi, si provë kundër hetuesit është duke u përdorur një bllok i shënimeve ku i kishte mbajtur shënimet njëri nga të dyshuarit.