Shoferët kosovarë për vite me radhë kanë paguar më shtrenjtë sigurimin e veturës përmes zbatimit të parregullt të sistemit Bonus-Malus. Këtë e mundësoi ndryshimi i një rregulloreje të BQK-së në vitin 2020 në “rrethana të dyshimta”, rregullore kjo e cila po hetohet nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Agon Sinanaj
Ndryshimi i një dispozite të Rregullores për sistemin Bonus-Malus në vitin 2020, dyshohet se u shkaktoi miliona euro dëme shoferëve kosovarë dhe fitime të dyshimta kompanive të sigurimeve.
Si praktikë ndërkombëtare, sistemi “Bonus-Malus”, merr për bazë një histori njëvjeçare të shoferëve dhe në bazë të aksidenteve të shkaktuara ose jo gjatë kësaj periudhe, llogaritë bonusin ose malusin.
Një person që nuk shkakton aksident në komunikacion shpërblehet me ulje të shumës së pagesës për sigurimin e automjetit dhe hynë në kategorinë bonus, ndërsa ata që bëjnë aksidente paguajnë më shtrenjtë dhe hyjnë në kategorinë malus.
Deri në vitin 2020, në Kosovë ky sistem ishte zbatuar vetëm sipas kriterit kur shoferët shkaktonin ose jo aksidente në komunikacion. Sipas ekspertëve të sigurimeve, kështu e parasheh edhe praktika ndërkombëtare në të gjitha vendet e botës.
Por, rregullorja paraprake e hartuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila është në fuqi që nga viti 2012, pësoi ndryshime në korrik të vitit 2020. Zbatimi i këtij sistemi, tani u zgjerua edhe për rastet kur shoferët vonohen në përtëritjen e kontratës për sigurim të veturës.
Nga muaji korrik i vitit 2020, shoferët kosovarë kanë paguar sigurimin e veturës më shtrenjtë sa herë që janë vonuar në pagesën e sigurimit të veturës. Atyre u është njohur sistemi bonus-malus në këto raste, sikur të kishin shkaktuar aksidente.
Sipas Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia dhe Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus Malus, zbatimi i këtij sistemi bazohet vetëm “në historikun e dëmeve të të siguruarit (policëmbajtësit)”.
Në asnjërën prej këtyre dokumenteve, nuk përcaktohet të jetë bazë për zbatimin e sistemit bonus malus edhe kriteri për vonesat në kontraktimin e sigurimit.
Ky zgjerim i kompetencave brenda sistemit Bonus-Malus është duke u hetuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, nën dyshimet se shoferët kosovarë me këtë rast u kushtëzuan jashtëligjshëm përmes kësaj rregulloreje.
Sipas hulumtimit, deri të këto ndryshime, dyshohet se erdhi pas ndërhyrjeve të grupeve të interesit në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), e cila në bazë të ligjeve në fuqi e mbikëqyr tregun e sigurimeve.
“Ndërhyrjet” në rregullore, “fitimet milionëshe të kompanive”
Në kohën e ndryshimit të rregullores, nga përfaqësuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimit, kjo ishte arsyetuar me faktin se kjo po bëhej për të zvogëluar numrin e veturave të paregjistruara.
Rregullorja për zbatimin e sistemit Bonus-Malus ishte ndryshuar nga Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 12 qershor 2020. Ndërsa, rregullorja e vjetër ishte në fuqi që nga data 27 korrik 2012.
Me ndryshimet e reja që hynë në fuqi më 2020, të gjithë shoferët në Kosovë që vonohen të sigurojnë veturën, obligohen të paguajnë një deri në tre shkallë më shtrenjtë tarifën për sigurim të veturës. Kështu, nëse ngasësi i automjetit nuk regjistron veturën dhe kalojnë 15 ditë nga data e skadimit të kontratës, ai ngarkohet me një shkallë të malusit. Ndërsa nëse kalon 45-ditëshi dhe nuk e regjistron veturën, ngarkohet me dy shkallë tjera të malusit.
Saktësisht ndërhyrja ka ndodhur në nenin 4 të Rregullores, i cili titullohet “Rregulla tjera për bonusin dhe malusin”. Në krahasim me rregulloren e vjetër, aty shihet se janë inkorporuar edhe dy dispozita shtesë.
“Nëse kontrata e sigurimit ka skaduar dhe i siguruari nuk kontrakton policë të re njëvjeçare, pas kalimit të periudhës kohore më shumë se 15 ditë dhe më pak se 45 ditë, nga data e skadimit, atëherë ndaj të siguruarit aplikohet një shkallë më e lartë e primit, por jo më shumë se shkalla 11, krahasuar me shkallën e primit të aplikuar në kontratën e fundit të skaduar, me kusht që gjatë kësaj periudhe nuk është deklaruar dëm”, thuhet në pikën 7 të këtij neni, që nuk figuron në rregulloren e vjetër.
Njëjtë, pika 8 flet për rastet kur kalon afati prej 45-ditësh dhe drejtuesi i automjetit nuk e regjistron veturën.
“Nëse kontrata e sigurimit ka skaduar dhe i siguruari nuk kontrakton policë të re njëvjeçare edhe pas kalimit të periudhës prej një 45 ditëve deri në një vit nga data e skadimit, atëherë ndaj të siguruarit aplikohet primi dy shkallë më i lartë, por jo më shumë se shkalla bazë e primit (shkalla 11), krahasuar me shkallën e primit të aplikuar në kontratën e fundit të skaduar, me kusht që gjatë kësaj periudhe nuk është deklaruar dëm.”
Nga ana tjetër, rregullorja nuk duket kaq e favorshme kur janë në pyetje ngasësit e automjeteve. Për ta përfituar bonusin, drejtuesi i automjetit këtë mund ta bëjë vetëm nëse kontratën e rinovon “jo më shumë se 10 ditë para përfundimit të afatit njëvjeçar të policës”. Në të kundërtën nuk mund ta fitojë bonusin e vitit të ardhshëm. Bonusi në asnjë rast nuk mund të përfitohet nëse ka skaduar kontrata e sigurimit.
Për Besnik Nikçin, ekspert i sigurimeve, ky ndryshim është i papranueshëm, pasi sistemi Bonus-Malus, sipas tij, në të gjitha vendet e botës, ka të bëjë vetëm me atë nëse shoferët kanë shkaktuar ose jo aksidente në komunikacion.
Ai ka thënë se për herë të parë po dëgjon që në Kosovë kjo praktikë zbatohet edhe në rastet kur shoferët vonohen në përtëritjen e kontratave për sigurim të veturës.
“Sistemi bonus-malus është kur i siguruari, i individualizuar, në bazë të historisë së sigurimeve, se çfarë historie ka, me u zbatu në lartësinë apo zbritjen e primit. Nëse është sistemi çfarë historie ki, historia nënkupton shkaktimin e rasteve të siguruara, se bile thotë nëse është paraqit dami, edhe nuk është pagu, atëheherë kthehet që nuk ka pasë. Pra është shkaktimi i rastit të siguruar, pra sistemi bonus-malus nuk ka të bëjë asgjë me vonesat për regjistrim të veturave. Për këtë gjë po degjoj tash për herë të parë”, ka thënë Nikçi në një bisedë për Buletini Ekonomik.
Në bazë të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, primet e sigurimit mblidhen vetëm me qëllim të mbulimit të rreziqeve të kontraktuara.
Sipas Nikçit, me primet e mbledhura nga vonesat në kontraktimin e sigurimit, kompanitë e sigurimit nuk mbulojnë asnjë rrezik eventual apo dëm të shkaktuar.
Po ashtu, me aplikimin e malusit për shkak të vonesave në kontraktimin e sigurimit, kompanitë e sigurimit përfitojnë edhe me mohimin e drejtpërdrejtë ndaj shoferëve në zbatimin e shkallës së caktuar të bonusit, në rastin kur ata nuk janë shkaktarë të aksidenteve në komunikacion.
Kompanitë e sigurimit, në njërën anë përfitojnë nga mbledhja e primeve në rast të vonesës së kontraktimit të sigurimit, ndërkaq në anën tjetër përfitojnë edhe nga mohimi i zbatimit të shkallës së bonusit.
Ndonëse nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) aso kohe patën thënë se qëllimi i këtij ndryshimi lidhet me automjetet e paregjistruara, në fakt një arsye tjetër duket të këtë qenë prapa kësaj.
Nga dokumentet që ka siguruar Buletini Ekonomik, rezulton se në vitin 2022, respektivisht 2023, numri i automjeteve të paregjistruara ka qenë në nivel prej 4.8%, respektivisht 2.69% nga totali i automjeteve të regjistruara në bazën e të dhënave pranë Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve. Ndërkaq, nga një raport tjetër i BKS-së, industria e sigurimeve nga ky ndryshim i rregullores për 4 vite ka realizuar 16 milionë euro prime të mbledhura në emër të vonesës së shoferëve për sigurimin e veturave, apo nga 4 milionë euro secilin vit.
“Kushtëzim i paligjshëm”
Ky rast tashmë është duke u hetuar nga Avokati i Popullit, pas një ankese që kishte mbërritur në këtë institucion nga një qytetar. Dyshohet se përmes këtij ndryshimi, shoferët kosovarë janë kushtëzuar jashtëligjshëm.
Nga hetimet e institucionit të Avokatit të Popullit, mbetet të vlerësohet nëse primet e sigurimit të mbledhura nga vonesat në kontraktimin e sigurimit dhe moszbatimit adekuat të sistemit bonus-malus, i shërbejnë qëllimit për të cilin ato janë mbledhur për mbulimin e rreziqeve të caktuara apo ndonjë “qëllimi” tjetër.
Nga Avokati i Popullit, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, thonë se lidhur me çështjen e Rregullores së BQK për Sistemin Bonus Malus, kanë pranuar ankesë e cila ka të bëjë me mosrealizimin e bonusit për qytetarët që nuk e regjistrojnë menjëherë veturën, respektivisht shqiptimin e malusit, për qytetarët që vonohen më shumë në regjistrimin e automjeteve.
“Lidhur me këtë, Avokati i Popullit është në fazën përfundimtare të hetimit, dhe pas përfundimit të procedurës së hetimit, shpejt do dalë me qëndrim lidhur me këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Buletini Ekonomik ka biseduar me juristët e përfshirë në këtë rast, nga Zyra e Avokatit të Popullit. Ata kanë sqaruar se hetimet kanë nisur pas dyshimit të bazuar se përmes zbatimit të sistemit bonus-malus edhe për vonesat në sigurim të veturës, qytetarët po kushtëzohen jashtëligjshëm.
“Nëse një drejtues i automjetit nuk e regjistron veturën, kjo është çështje e Policisë së Kosovës, pra shqiptohet gjoba, por nuk mund të këtë kushtëzime nga rregullatori (BQK) për këto raste”, ka thënë njeri nga juristët e përfshirë në proces.
Një vendim nga Avokati i Popullit pritet të merret së shpejti, por deri atëherë, nga Banka Qendrore e Kosovës nuk pritet të rishikohet kjo rregullore. Të paktën nga ky institucion nuk janë përgjigjur në pyetjet e mediumit lidhur me këtë çështje.
Byroja Kosovare e Sigurimit, në një përgjigje, ka sqaruar se ky rregullim i zbatimit të sistemit bonus-malus nuk ka për qëllim ngarkimin e shoferëve me tarifë shtesë, por për të siguruar që të gjithë ata që dalin në komunikacion kanë sigurim.
“Në të kundërtën, për të mos u ngarkuar me shkallët e malusit siç janë përcaktuar sipas rregullores së shpjeguar më sipër, të siguruarit/policëmbajtësit, respektivisht pronarët e mjeteve motorike atëherë kur nuk kanë për qëllim përdorimin e mjetit përkatës motorik, kanë për detyrim ç’lajmërimin e mjetit pranë QRA-së, anulimin e librezës së qarkullimit dhe dorëzimin e targave të regjistrimit të mjetit motorik.”
Sipas tyre, ky rregullim ligjor ulë në masë të madhe numrin e mjeteve motorike të pasiguruara dhe minimizon procedurat e kompensimit të dëmit pranë Fondit të Kompensimit pranë Byrosë Kosovare të Sigurimit. /Buletini Ekonomik/