Koalicioni Pro Open kërkon që të mos jepen lejet për ndërtimin e hidrocentraleve

Koalicioni Pro Open përmes një deklarate për media, ka kërkuar nga ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, të respektohet moratoriumi i vitit 2018 për pezullimin e licencave për ndërtimin e hidrocentraleve, deri siç thonë ata, të bëhet një vlerësimi i ri dhe i mirëfilltë i kapaciteteve ujore në vend si dhe ndikimit të hidrocentraleve të vogla në cilësinë e mjedisit dhe mirëqenien e qytetarëve që jetojnë në afërsi.

Duke qenë në përkrahje të qytetarëve në Deçan, Pejë dhe Shtërpcë, të cilët janë duke protestuar ndërtimin dhe operimin ilegal të hidrocentraleve në komunat e tyre, ku koalicion ka kërkuar nga të gjitha institucionet kompetente – Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Zyra e Rregullatorit për Energji dhe komunat përkatëse – të ndalojnë menjëherë procedurat për dhënien e lejeve të reja dhe operimin ilegal të hidrocentraleve.

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës ka vënë cak që deri më 2025 të arrijë të prodhojë 25% të energjisë përmes burimeve të ripërtërishme, duke vënë theks në eksploatimin e burimeve ujore.

Reklama e sponzorizuar

“Në Kosovë janë 13 hidrocentrale aktive – ndërsa planifikohen të ndërtohen edhe mbi 100 hidrocentrale të vogla – kryesisht në hapësira brenda parqeve nacionale! Që nga viti i kaluar qytetarët kanë protestuar operimin ilegal të hidrocentraleve në grykën e Deçanit, ndërtimin e një hidrocentrali të ri në Lumbardhin e Pejës si dhe ndërtimet e hidrocentraleve të vogla në rrjedhën e lumit Lepenc në komunën e Shtërpcës. Duke cituar dëmet mjedisore dhe ekonomike, si dhe mënyrën ilegale të operimit të hidrocentraleve ekzistuese pa licencat e nevojshme, qytetarët kanë kërkuar nga Qeveria e atëhershme Haradinaj ta ndalojë operimin e hidrocentraleve ekzistuese dhe lëshimin e licencave për ato të reja”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, në fund të prillit 2018, Ministrja e atëhershme e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj kishte marrë vendim për pezullimin e lëshimit të të gjitha licencave nga Ministria derisa të bëhej një vlerësim fizibiliteti i potencialit ujor të vendit. Vlerësimi i fundit i kapacitete nëntokësore dhe sipërfaqësore ujore është bërë në master planin e ujërave në vitin 1984.

“Është shqetësuese që disa ditë para zgjedhjeve të parakohshme, Ministri në largim z. Matoshi ka dhënë dritën e gjelbër për heqjen e këtij pezullimi duke thënë se Sekretari dhe departamentet përgjegjëse duhet ‘të fokusohen në zbatimin e kornizës ligjore’. Ky vendim e injoron situatën në të cilën është marrë vendimi i Ministres Reshitaj, pikërisht në kohën kur vendi është në fushatë zgjedhore dhe ekziston një vakuum institucional me mosfunksionimin e parlamentit”, thuhet në njoftim.

Siëas tyre, paradoksalisht, thelbi i problemit të ndërtimit të mini-hidrocentraleve është në mos-zbatimin e ligjit, ndërtimi në hapësira të parqeve nacionale dhe shkatërrimi i ekosistemeve në vendet ku ndërtohen.

Koalicioni Pro Open i bën thirrje Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezit, që urgjentisht të nisë hetimin e këtij rasti, pasi që ky vendim bie ndesh me Ligjet në fuqi dhe sjellë dyshime për një ndikim të mundshëm të përfituesve te Ministri.

“Pro Open kërkon që të respektohet vendimi i marrë nga Ministrja e kaluar, dhe të pezullohen lejet e reja derisa të bëhet një vlerësimi i ri dhe i mirëfilltë i kapaciteteve ujore në vend si dhe ndikimit të hidrocentraleve të vogla në cilësinë e mjedisit dhe mirëqenies së qytetarëve”, thuhet tutje në njoftim.

Ndërkaq ministri në largim i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, përmes një shkrimi në Facebook, ka demantuar se ai ka zhbllokuar procedurat për dhënien e lejeve për ndërtim të hidrocentraleve.

Ai thotë se si ministër nuk ka autoritet që t’i jap apo t’i ndalojë lejet, pasi që sipas tij, secila e drejtë është e garantuar me ligj.

“Që nga koha kur ndërtimi i hidrocentraleve është proklamuar si investim strategjik e deri me tani, mbas 10 vite, askush nuk ishte marrë me mënyrën se si ata kanë operuar, prodhuar dhe shitur energji.
Jam i pari Ministër që siç e dini edhe Ju, kam njoftuar Zyrën e Rregullatorit të Energjisë që asnjë hidrocentral në Kosovë nuk ka leje mjedisore, që nënkupton nuk mund të lejohet nga ZRRE që të shesë energji, pa u pajisur me leje mjedisore”, ka shkruar ai.

Ai thotë se përgjigjja ime drejtuar shkresës së sekretarit të Ministrisë nuk nënkupton në asnjë mënyrë ndërtimin e hidrocentraleve pa respektuar kushtet paraprake të cilat fillojnë nga komunat dhe qytetarët e tyre.

“Ministri nuk është autoritet që jep apo ndalon leje, secila e drejtë dhe përgjegjësi është e rregulluar me ligj. Rrjedhimisht lajmi se Ministri ka marrë vendim ose ka dhënë leje për hidrocentrale është i pavërtetë dhe qëllimkeq. Mbetem i përkushtuar që të mbrojë interesin e përgjithshëm qytetar e mjedisor.
Çdo përpjekje për keqpërdorin të kësaj çështje nga kushdo qoftë, për interesa elektorale është e ulët dhe jo etike. Jam i gatshëm për debat me të gjitha palët e interesuara”, ka shkruar tutje Matoshi.