Mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve po shihet si pengesë e zhvillimit të biznesit në vend.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve po e pengojnë ambientin e të bërit biznes në Kosovë.
Në një intervistë për Telegrafin, Rukiqi thotë se agjenda e ngarkuar politike po e bënë të pamundur që sektori privat ta ketë ndikimin kryesor në rritjen ekonomike të vendit.
“Fatkeqësisht kemi shumë cikle të shpeshta zgjedhore, ku në njërën anë mund të kenë ndikime pozitive në demokraci, por në njërën anë këto e rrisin jostabilitetin politik të vendit, sidomos kur kemi parasysh kur periudha paszgjedhore po përcillet me një bllokadë deri në formimin e institucioneve, gjë që ky cikël po e shndërron tërë këtë proces në një pengesë e të të bërit biznes”, thotë ai.
Rukiqi shprehet se kauzat e partive politike duhet t’i adresojnë çështjet ekonomike në mënyrë konkrete.
“Ne në Kosovë e kemi një agjendë të tej ngarkuar politike, me temat të cilat janë të pastërta politike, ose të politikës ditore ose që lidhen me raportet ndërkombëtare dhe e gjithë kjo agjendë, qoftë zgjedhore dhe që po përcjellët pas zgjedhjeve, realisht po e bënë të pamundur që sektori privat ta ketë ndikimin kryesor në rritjen ekonomike të vendit. Ajo që po shohim shumë pak në tërë këtë promovim të këtyre kauzave të partive politike është ideja, platforma, propozimet konkrete se si të adresohet kjo çështje, apo si të çohet përpara një agjendë që e ka parasysh apo prioritet sundimin e ligjit. Praktikat e kaluara na kanë dëshmuar të kundërtën. Ka pasur ide të punësimit apo uljes së papunësisë, të tërheqjes së investimeve të huaja direkte, mirëpo pastaj agjenda politike e kanë ndikuar tempon”, shprehet Rukiqi.
I pari i OEK-ut, thotë se lufta verbale ndërmjet partive e ka pamundësuar shpejtimin e reformave zhvillimore.
“Lufta verbale ndërmjet partive e ka pamundësuar diskutimin substancial e profesional për ligje. Ne e dimë se kemi pasur një bllokadë totale të mosfunksionimit, mungesave të kuorumeve dhe deri te përdorimi i gazit lotsjellës, të cilat fatkeqësisht e kanë pamundësuar shpejtimin e një reforme zhvillimore”, thotë Rukiqi.
Në këtë intervistë, Rukiqi ka folur edhe për investimet e huaja direkte dhe barrierat e të të bërit biznes në Kosovë.