“Pay-Kos” – kompania ‘misterioze’ që mori miliona në Telekom

Një kontratë e madhe për shitjen e mbushjeve, aneks-kontrata, e deri te organizimi i lojërave shpërblyese në Telekomin e Kosovës, lidhen me emrin e një kompanie të vetme, “Paykos”. Hulumtimi i Buletinit Ekonomik sjellë gjithë historikun e kësaj kompanie misterioze me milionat e Telekomit.

Shkruan: Agon Sinanaj

Më 1 dhjetor të vitit 2014, kompania “PayKos” u regjistrua si biznes i rregullt në Agjencinë Kosovare të Bizneseve (ARBK). Vetëm katër muaj më vonë, e njëjta fitoi në mënyrë të dyshimtë një kontratë milionëshe në Telekomin e Kosovës (TK). E ashtuquajtura “marrëveshja komerciale mes PTK-Paykos”, u nënshkrua më 16 mars të vitit 2015, dhe kishte si qëllim shitjen, distribuimin dhe promovimin  e mbushjeve Pre Paid.

Reklama e sponzorizuar

Kjo kontratë ishte vetëm fillimi i një serie kontratash e aneks-kontratash që do ta lidhnin Telekomin me këtë kompani në vitet pasuese. Prej vitit 2015, kur në krye të kësaj ndërmarrjeje erdhi Agron Mustafa, kësaj kompanie iu dha një kontratë e madhe për shitjen e mbushjeve, dhjetëra aneks-kontrata, e deri te organizimi i lojërave shpërblyese në Telekom.

Hulumtimi zbulon se “PayKos”-i e kishte fshehur partneritetin me një kompani tjetër në Kosovë, nën menaxhimin e së cilës janë biznese të shumta. Nga të gjitha të dhënat e prezentuara prej vitit 2015, “PayKos”-i, mund të cilësohet si një kompani me jo “shumë gjurmë”, por që mori shumë kontrata në Telekom.

Fitimet milionëshe nga kontrata e mbushjeve

Sipas dokumenteve të siguruara nga Buletini Ekonomik, ku përfshihet vetë kontrata e nënshkruar nga ish-kryeshefi, Agron Mustafa, Telekomi i Kosovës i mundësoi kësaj kompanie fitime milionëshe përgjatë periudhës 2015-2018 në kontratën për shitjet e mbushjeve. Sipas kontratës, “PayKos”-i, obligohej që të zgjeronte rrjetin e pikave të shitjes së mbushjeve nëpër Kosovë. E në bazë të dokumenteve, rreth 10 milionë euro është fitimi i kompanisë “PayKos” për katër vite, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 për qind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “PayKos”-it.

Prej vitit 2015, “PayKos”-i ka fituar minimum rreth 7.5 milionë euro si komisione për shitje të mbushjeve, minimum rreth 1 milion euro bonuse për “arritje” të targeteve, si dhe minimum rreth 1 milion euro për blerje të mbushjeve me çmime me zbritje nga operatori.

Ndërkohë, Telekomi me kontratë obligohej që t’ia jepte kompanisë 1 për qind të vlerës së fituar që ishte mbi targetin e parashikuar.

Kohëzgjatja e marrëveshjes ishte ndryshuar disa herë. Në tetor të vitit 2016, palët u patën pajtuar që marrëveshja të zgjatej deri më 2020, me mundësi vazhdimi edhe për 4 vjet tjera, ku edhe një herë specifikohej se Telekomi nuk mund të bënte marrëveshje për të njëjtën veprimtari me asnjë palë, pa pëlqimin e “PayKos”-it. E në dhjetor të 2017-s, u shtua një afat i ri 5-vjeçar, që fillonte më 1 janar 2018.

Kontrata me “PayKos” dhe ‘theqafja’ e Telekomit

Në një njoftim për media nga PTK-ja në kohën kur ishte nënshkruar kontrata, thuhej se qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje ishte që konsumatorët e kompanisë, brenda një periudhe të shkurtër, të furnizoheshin me produktet e saj, kartela, mbushje elektronike, internet 3G dhe 4G, në rreth 2 mijë pika të reja të shitjes në të gjithë Kosovën. Rrjedhimisht, nga kjo parashihej që PTK-ja të arrinte pozitë më të mirë në tregun e telekomunikimeve.

Megjithatë, marrëveshja me “PayKos”-in nuk i dha rezultatet e pritura. Përkundrazi, “theqafja” në këtë ndërmarrje filloi qysh në vitin 2015, pikërisht në kohën e nënshkrimit të kësaj kontrate.

Në kohën kur Agron Mustafa erdhi në krye të Telekomit të Kosovës (TK), më 22 shkurt 2015, ndërmarrja sapo e kishte mbyllur vitin paraprak me një fitim prej 16.5 milionë eurosh.

Ndonëse kjo ishte përgjysmë më pak se viti 2013, kur fitimi ishte 36.1 milionë euro, me zgjedhjen e Mustafës në krye të Telekomit pritej që të ndalej ky trend negativ i performancës financiare. Por, përveç që nuk u ndal trendi negativ, ndërmarrja në vitet pasuese shënoi edhe rënien më të madhe ndër vite.

Sipas raporteve të performancës financiare për Telekomin, qysh në vitin e parë kur Mustafa erdhi në pozitën e kryeshefit, ndërmarrja e mbylli vitin me një humbje prej 7.9 milionë eurosh. Bëhet fjalë për vitin 2015, përderisa vetëm një vit më herët, më 2014, Telekomi e kishte mbyllur vitin me një fitim prej 16.5 milionë eurosh. Nga ky vit e deri më tani, Telekomi i mbylli të gjitha vitet pasuese me humbje.

“PayKos”, kompani “pa gjurmë”

Buletini Ekonomik ka hulumtuar aktivitetet e kompanisë për këtë periudhë, mirëpo gjithçka rreth saj është e paqasshme për publikun. Madje, kompania nuk ka as faqe në internet, përveç një adrese se ku ndodhet me zyre dhe numrin e telefonit.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, si pronar i vetëm i “PayKos”-it figuron emri i Armend Zeqirajt. Aty thuhet se kompania si aktivitet primar ka “Teknologjinë informative dhe aktivitetet shërbyese kompjuterike”. Si punëtorë të deklaruar në ATK, kjo kompani në vitin 2015 i kishte pasur katër sosh, kurse më 2018-n tetë punëtorë.

Zyrtarët e kompanisë kanë pranuar të përgjigjen në pyetjet e adresuara vetëm pas tetë muajsh dhe disa kërkesave të drejtuara atyre. Kur është pyetur se si u bë që kompania e arriti këtë marrëveshje me Telekomin vetëm tre muaj pasi ishte regjistruar si biznes, Armend Zeqiraj, drejtor në “PayKos”, ka përmendur emrin e një kompanie tjetër, që sipas tij, ishte me përvojë në tregun e telekomunikimeve.

Edhe pse kompania Paykos është e regjistruar në vitin 2014 përvoja jonë ne lëminë e telekomunikacionit është shumëvjeçare (përmbi 15 vite). Por Paykos në konzorcium me kompaninë e huaj Payzone (si partner strategjik me renome botërore dhe mbështetës me teknologji) është e hapur si kompani e re për të ushtruar veprimtarinë në bashkëpunim me këtë kompani të huaj, në momentin që është hapur thirrja publike për partneritete me biznese e Telekomit të Kosovës”, ka sqaruar ai.

Zeqiraj thotë se kontrata i siguron Telekomit të Kosovës që të jetë prezente në mbi 2000 pika të shitjes në tërë Kosovën dhe në të gjitha ato vende që nuk ka qenë më parë. Si punë për Telekomin, ai ka përmendur rritjen e prezencës së Telekomit dhe produkteve të saj nga afro 180 pika shitëse (Posta e Kosovës) dhe në mbi 3000 pika shitëse përmes “PayKos”-it.

“Kemi investuar miliona euro ne teknologjinë më moderne, infrastrukturë shitëse, mijëra POS Terminale (ku vetem vlera e një POS teminali është 350EUR), softuer, dataqendër, procesor të transakcioneve, distribucion dhe logjistikë, automjete, bashkpunëtorë profesionalë,etj”, ka shtuar ai.

Lidhur me këtë marrëveshje, Buletini Ekonomik, ka dërguar pyetje edhe në Telekom, por përkundër insistimit, nuk ka marrë përgjigje.

Aneks-kontratat: “PayKos”-i u angazhua edhe për organizimin e lojërave shpërblyese

Kompania “PayKos”, krahas marrëveshjes milionëshe për distribuimin e mbushjeve të Vala-s, në periudhën 2015-2018, u angazhua nga Telekomi edhe për organizimin e lojërave shpërblyese për klientët.

Mbi 2 mijë punëtorë sa kishte Telekomi i Kosovës në vitin 2017, nuk i kishin mjaftuar menaxhmentit që t’i organizonte vetë lojërat shpërblyese për klientët.

Ky aktivitet i përvitshëm i Telekomit iu besua pikërisht kompanisë “PayKos”, e cila përveç kësaj, më 2015-n kishte fituar edhe një kontratë milionëshe nga vet Telekomi për distribuimin e mbushjeve të Vala-s.

Buletini Ekonomik ka siguruar së paku dy marrëveshje komerciale të Telekomit me këtë kompani në vlerë të mijëra eurove, që kanë të bëjnë me organizimin e lojërave shpërblyese për klientët.

Marrëveshja e parë mban datën 8 gusht 2017, në kohën kur kryeshef ekzekutiv ishte Agron Mustafa dhe titullohej “Loja Shpërblyese për Klientët VALA Prepaid”. Marrëveshja u lidh mes Telekomit, Postës së Kosovës dhe kompanisë “PayKos”.

Vetëm për organizimin e kësaj loje shpërblyese, ku dhjetëra klientë fituan banesa, televizorë, llaptopë, e pushime në Antalia, kompania “PayKos” fitoi rreth 100 mijë euro.

Ndërsa Posta e Kosovës për organizmin e këtij aktiviteti të thjeshtë mori mbi 60 mijë euro.

Në total, sipas marrëveshjes, për këtë aktivitet Telekomi shpenzoi gjithsej 163 mijë euro.

Buletini Ekonomik ka siguruar edhe një aneks të kësaj marrëveshjeje të arritur më 14 shkurt 2018. Aty nuk përmenden shumat që fitoi “PayKos”-i, por vetëm lista e shpërblimeve që iu ndanë konsumatorëve, e që arrinte një shumë prej 175 mijë eurove.

“Favori” përtej kontratës bazë

Me kontratën bazë mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “PayKos”, të arritur në vitin 2015, kjo e fundit për shitjen, distribuimin dhe promovimin e mbushjeve të Vala-s, përfitonte provizion 10 për qind. Për katër vite, mes periudhës 2015-2018, nga kjo tarifë “PayKos”-i përfitoi prej Telekomit rreth 10 milionë euro.

Por, me ardhjen e menaxhmentit të ri në vitin 2019, në krye me Bedri Istrefin, kjo kompani është favorizuar edhe përtej kontratës bazë. Dy anekse të kontratës që ka siguruar Buletini Ekonomik, të arritura në fillim të vitit 2019 dëshmojnë për ndryshim të tarifës nga kontrata bazë, duke ia mundësuar kompanisë në fjalë trefishimin e fitimeve për një shërbim të kryer në muajt mars e prill të vitit 2019.

Kompania “PayKos” bleu nga Telekomi mbushje në vlerë të 2 milionë eurove për t’i shitur në tërë Kosovën. Për këtë shërbim në emër të Telekomit, “PayKos”-i mori 30 për qind provizion apo përkthyer në vlerë monetare, 700 mijë euro. Me kontratën bazë mes tyre provizioni për të gjitha shitjet e mbushjeve ishte i caktuar të jetë rreth 10 për qind.

Përmes aneks-kontratës, Telekomi i ofroi “PayKos”-it stoqe të kartelave në vlerë të 2 milionë eurove, për shitjen e të cilave kompania do të merrte provizion prej 30 për qind.

Kushti i vetëm nga Telekomi ishte që kompania këto dy milionë euro do të duhej t’i transferonte në afat rekord në llogaritë e Telekomit. Ashtu edhe ndodhi. Sipas aneks-kontratës, në muajin prill dhe mars, “PayKos”-i i transferoi tek Telekomi 2 milionë eurot e kërkuara si parapagim.

“Partneri (PayKos) garanton se stoqet e ofertuara nga Operatori (Telekomi) do t’i parapaguaj nëpërmes Profaturës së lëshuar nga Operatori (Telekomi) para se të tërhiqen dhe atë: – Kontigjeni i parë, 1 milion euro, jo më larg se 31 Mars 2019; – Kontigjenti i dytë, 1 milion euro, jo më larg se 30 Prill 2019”, thuhet në këtë aneks-kontratë.

Për këto 2 milionë euro, provizioni u llogarit 30 për qind, plus 18 për qind TVSH-ja, që i bie në total 700 mijë euro fitime të pastra për kompaninë.

Fshehja e partneritetit me kompaninë “Gekos”

Buletini Ekonomik ka gjetur se kompania “PayKos” që kishte fituar kontratën milionëshe në Telekom, ka mbajtur të fshehur partneritetin me një kompani të fuqishme në Kosovë. Bëhet fjalë për kompaninë e arkave fiskale “Gekos”, e cila është në pronësi të Enver Maliqit, biznesmenit shqiptar nga Shkupi. 

Firma e tij “Gekos”, ka përfituar në Kosovë miliona euro nga projekti i arkave fiskale, i cili është përcjellë më shumë dyshime nga komuniteti i biznesit. “Gekos” është e shtrirë në Kosovë edhe në shumë biznese tjera, përfshirë këtu edhe partneritetin me “PayKos”.

Nga ky partneritet, “Gekos” dhe “PayKos” realizuan fitime milionëshe falë kontratës për distribuimin e mbushjeve të Vala-s, të arritur në vitin 2015, në kohën kur kryeshef ishte Agron Mustafa.

Këtë partneritet e kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga kompania “Gekos”. Në një përgjigje përmes emailit, thuhet se “Gekos” në partneritet me “PayKos” ka kryer distribuimin fizik të kartelave të Vala-s për tregun e Kosovës.

“Kompania jonë ka bërë distribuimin e kartelave gërvishtëse për Ipkon për shumë vite, me të cilën kompani kemi pas bashkëpunim edhe në tregun e Maqedonisë pasi që ata janë prezent edhe atje. Në ndërkohë kemi vazhdu bashkëpunimin me kompaninë Paykos duke u bërë një ndër kompanitë që bën distribuimin fizik të Valës për ta në tregun e Kosovës”, thuhet në përgjigjet zyrtare nga “Gekos”.

“Gekos” është kompani që merret me distribuimin e produkteve të ndryshme në tregun e Kosovës, qysh prej vitit 2001 kur edhe është regjistruar si kompani.

Në Kosovë “Gekos”-i mban përfaqësinë e disa prej brendeve të njohura botërore.

“Jemi përfaqësues të brendeve të njohura botërore sic janë Diageo ku hyjnë brendet si Smirnoff, Johnny Walker, Gordons Gin dhe tjera…si dhe në fushën e duhanit me përfaqësinë e Imperial Tobacco me brendet e njohura si Davidoff, West, Galuoises etj”, thotë emaili nga “Gekos”.

Kontrata e Telekomit me “PayKos” përfundon në Prokurori

Lamih Balaj, Kryetar i Sindikatës së Telekomit të Kosovës, thotë se të gjitha punët që ka kryer “PayKos”-i, kanë mundur të kryhen nga punëtorët e Telekomit.

Po ashtu, të njëjtat shërbime të distribuimit i ka kryer edhe Posta e Kosovës, prandaj Balaj ngre dilema se pse është dashur “me ia dhënë të drejtën një kompanie me shit me përqindje me të lartë se Posta”.

“Një arsye tjetër se pse nuk ka qenë e nevojshme është fakti se ne si Telekom i kemi pasur të gjitha pikat e shitjes të përfunduara nga punëtorët e Telekomit, e të cilat sot i furnizon PayKos. Ne i kemi furnizu më herët si Telekom dhe lind pyetja: pse i është dhënë kontrata një kompanie kur ne vetë i kemi furnziu më herët këto pika?”, ka shprehur dilemat e tij kryesindikalisti Balaj.

Ai thotë se edhe ekspertët brenda Telekomit, këtë kontratë e kanë cilësuar si të panevojshme dhe që i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme ndërmarrjes.

Kur është pyetur se cila është kontrata më e dëmshme në Telekom pas asaj me Z-Mobile, Balaj është përgjigjur: “Pa dyshim, kontrata me PayKos”.

Me datën 28 maj 2018, Sindikata ka dorëzuar në Policinë e Kosovës, përkatësisht në Departamentin e Krimeve Ekonomike, kontratën me “PayKos”-in duke kërkuar edhe nisjen e hetimeve. E Balaj thotë se deri më tani nuk ka parë ndonjë veprim konkret.

Buletini Ekonomik ka pyetur edhe në Polici lidhur me këtë lëndë. Ata u shprehën se lënda në fjalë tashmë i është dorëzuar Prokurorisë.

“Lidhur me interesimin tuaj, ju njoftojmë se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e PK-se, ka trajtuar informacionin për të cilin po interesoheni. Në konsultim me prokurorin është përpiluar raport i veçantë i cili është dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, më 12.12.2018”, kanë thënë nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Policisë së Kosovës. /Buletini Ekonomik/