Kryetari i Federatës Sindikale të PTK-së, Lamih Balaj, ka thënë për “Zërin” se deri në fund të këtij muaji ose nga mesi i muajit tetor do të përfundojë edhe faza finale, e cila përfshin kthimin e këtyre numrave ose shkëputjen e tyre. Sipas tij, “Z-Mobile” nuk ka më të drejtë të shesë numra, shkruan sot gazeta Zëri.
Edhe njohësi i çështjeve të ekonomisë Musa Limani ka vlerësuar se shkëputja e marrëveshjes me “Z-Mobile”-in mund të ketë edhe efekte negative për Telekomin, e cila mund edhe të paditet. Sipas tij, kjo kontratë e ka sjellë Telekomin para falimentimit. “Një kontratë e tillë sipas të gjitha gjasave nuk ka qenë në rregull dhe shumë e ka dëmtuar Telekomin e Kosovës, prandaj edhe pas shkëputjes sigurisht që do të ketë edhe rrjedhë negative derisa të mëkëmbet. Kontrata të tilla kanë qenë joefikase dhe zbatimi i tyre sipas informatave ka sjellë Telekomin para falimentimit. Kontratat kanë edhe obligimet e tyre. Në qoftë se shkëputet njëanshëm, atëherë normalisht se pala që e shkëput njëanshëm është e mundur të padite”, ka deklaruar ai.
Pavarësisht borxheve në të cilat është futur Telekomi, Limani ka thënë se kjo ndërmarrje nuk duhet të privatizohet dhe se në krye të saj duhet të vendosen ekspertë të asaj fushe dhe jo njerëz partiakë. “Në kuadër të bordeve duhet të vijnë ekspertë dhe jo njerëz partiakë. Këtu është edhe dështimi, te çështja e joefikasitetit dhe e afarizmit të ndërmarrjeve publike në Kosovë, që është edhe rasti i Telekomit. Telekomi ka qenë njëra prej ndërmarrjeve më fitimprurëse që i ka sjellë miliona edhe qeverisë. Abuzimet e ndryshme e kontratat jo të favorshme kanë sjellë një ndërmarrje publike shumëfitimprurëse para falimentimit. Në këtë situatë në të cilën gjendet Telekomi, mendoj që nuk duhet të privatizohet sepse mund të shitet për një vlerë shumë të ulët”, ka thënë ai.