Ka me vite që Komuna e Istogut nuk bën menaxhimin adekuat të pronave të saj dhe dhënien e tyre me qira. Kjo komunë ka lëshuar pronat e saj, duke shpërfillur ankandin publik, ndërsa çmimet e qirasë për shfrytëzim për këto prona nuk kanë qenë në përputhje me Rregulloren.
Disa shfrytëzues kanë paguar qiranë që ua ka caktuar komuna paushall, e shumë prej tyre nuk kanë paguar fare qira, sidomos për shfrytëzimin e tokave bujqësore, të cilat me vite janë shfrytëzuar dhe janë mbi 500 hektarë tokë bujqësore komunale që shfrytëzohen pa kontrata dhe pa pagesë në mënyrë ilegale, shkruan sot Koha Ditore.
“I kemi mbi 500 hektarë tokë bujqësore që është duke u shfrytëzuar në mënyrë të egër”, thotë drejtori i Bujqësisë, Lulzim Shoshi. Këto parregullsi dhe mosseriozitet të komunës në verifikimin dhe dhënien në shfrytëzim të pronave, që të krijojë edhe të hyra shtesë, vite me radhë i ka potencuar si mangësi në raportet e saj Zyra Kombëtare të Auditimit, e cila kishte zbuluar shfrytëzimin e disa pronave komunale, për të cilat komuna nuk kishte marrë qira që nga viti 2008 dhe vazhdojnë ende t’i shfrytëzojnë pa pagesë.