Me asete shtetërore për të kërkuar vota

Ende pa filluar zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë nga subjektet politike që të mos keqpërdoren asetet publike për qëllime elektorale.

Jo rrallë herë, zyrtarë të qeverisë janë kritikuar nga shoqëria civile për keqpërdorim të aseteve shtetërore, konkretisht të vetura zyrtare, pasi sipas tyre, makinat zyrtare janë shfrytëzuar edhe vikendeve për nevoja personale e madje edhe pushime jashtë vendit.

Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, theksojnë se sikurse viteve të kaluara, edhe në këto zgjedhje janë vërejtur raste të shfrytëzimit të makinave zyrtare për qëllime partiake, kryesisht atyre në pushtet.

Reklama e sponzorizuar

Drejtori i Organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se sidomos subjektet politike që janë në pushtet përdorin resurset shtetërore në terren për sigurimin e votave. Përveç veturave zyrtare, Demhasaj thotë se edhe takimet që janë të parapara në kuadër të qeverisë, po shfrytëzohen si fushatë për mobilizim të votueseve.

“Këto (subjektet politike) po përdorin hapësirën ligjore që ekziston dhe takimet publike po i shfrytëzojnë për fushatë. Nuk kemi ligj që e ndalon këtë, por kjo mbetet në bazë të vullnetit të tyre që të mos i keqpërdorin veturat dhe hapësirat publike për fushatë”, tha Demhasaj.

Ndryshe, në bazë të Ligjit për zgjedhjet, thuhet se “personi që mban pozitë publike, i zgjedhur apo i caktuar, nuk mund të përdorë atë zyrë ose ndonjë nga pasuritë e saj me qëllim të përfitimit të votave”.

Ligji parasheh që asnjë nga burimet e asnjë institucioni të administratës publike, qoftë të nivelit qendror ose lokal, ose edhe ndonjë ndërmarrjeje në zotërim ose të kontrolluar nga autoritetet qendrore ose lokale, nuk mund të shfrytëzohen ose të futen në mbështetje të ndonjë subjekti politik në zgjedhje.

Jetmir Bakija, menaxher i programit në organizatën “Demokracia Plus”, thotë për Radion Evropa e Lirë se subjektet politike nuk e kanë respektuar në asnjë fushatë zgjedhore Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

“Kjo nuk është e drejtë, nuk siguron garë të barabartë për të gjitha partitë për shkak se ato (partitë) që nuk janë në qeveri apo partitë më të vogla, që duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, nuk përfitojnë nga kjo. Ligji për zgjedhje dhe procesi zgjedhor në të gjitha demokracitë duhet të sigurojë qasje të barabartë për të gjitha partitë politike. Për shkak se kur fillon procesi zgjedhor, të gjitha partitë politike janë të njëjta dhe gara duhet të jetë e barabartë për të gjithë”, tha Bakija.

Zyrtarë të qeverisë në largim nuk kanë dhënë ndonjë përgjigjeje lidhur me kritikat e shoqërisë civile për shfrytëzimin e resurseve publike për fushatë parazgjedhore, përderisa zyrtarë të Kuvendit të Kosovës kanë sqaruar për se kush mund të përdorë veturat gjatë mandatit ligjor.

Ismet Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, në një përgjigjeje më shkrim për Radion Evropa e Lirë, tha se “deputeti dhe kryetari i Grupit Parlamentar nuk ka veturë zyrtare të Kuvendit në përdorim. Kurse kryetari dhe nënkryetari i Kuvendit e kanë në përdorim veturën zyrtare deri ne ditën e konstituimit të legjislaturës se re”.

Fushata zgjedhore, zyrtarisht pritet të fillojë më 25 shtator dhe do të zgjasë dhjetë ditë. Por, partitë dhe koalicionet qysh tash kanë nisur aktivitetet zgjedhore, si dhe kanë dalë me emrat e kandidatëve të tyre për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Zgjedhjet e parakohshme u bën të domosdoshme pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, për shkak të ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Pas dorëheqjes së Haradinajt, Kuvendi i Kosovës miratoi mocionin për shpërndarjen e Kuvendit, kurse presidenti Hashim Thaçi shpalli 6 tetorin, datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.