Ministria e Bujqësisë (MBPZHR) është në rrugë për ta zhvendosur personelin në një objekt privat, qiraja vjetore e të cilit, sipas burimeve, tejkalon vlerën prej 700 mijë eurosh. Në kërkim për objekt me qira është edhe Ministria e Kulturës (MKRS), shkruan sot Koha Ditore.
Të dyja këto institucione janë të vendosura në një godinë të vjetër që njihet si “Komiteti”, e në të cilën ishte selia e administratës së Kosovës, sa funksiononte si njësi federative në kuadër të ish-Jugosllavisë.
Është kryetari i shtetit, Hashim Thaçi, ai që do ta marrë “Komitetin”, dhe të zhvendoset aty nga ndërtesa e Kuvendit, ku prej dy dekadash ka qenë selia e Presidencës.
Në Ministrinë e Bujqësisë kanë thënë se komisioni i formuar për përzgjedhjen e objektit për zhvendosjen e stafit është duke shqyrtuar disa oferta dhe ende nuk ka marrë ndonjë vendim të caktuar.
Por, një burim i gazetës në këtë institucion ka thënë se shqyrtimi është duke u bërë vetëm sa për të plotësuar kërkesat ligjore.