Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në krye me ministren në largim, Dijana Zivic ka vazhduar me shpalljen e konkurseve dhe shpalljen e kandidatëve të suksesshëm për pozita të ndryshme brenda kësaj ministrie, përkundër faktit se vendi po shkon në zgjedhje të parakohshme muajin që po vjen, përcjell Buletini Ekonomik.
Vetëm gjatë dy javëve të para të këtij muaji, kjo ministri ka hapur gjithsej 5 konkurse për pozitat si: Drejtor i Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Statistikave Bujqësore, Udhëheqës i Divizionit të Analizave Ekonomike, Udhëheqës i Divizionit të Integrimit Evropian, Zyrtar i Lartë Ekzekutiv, si dhe Asistent administrativ.
Përveç këtyre konkurseve, Ministria e Bujqësisë gjithashtu ka shpallur edhe disa kandidatë të sukseshëm këto ditë, që kanë zënë vend pune në këtë ministri.
Dijana Zivic ka pranuar në shërbim të ministrisë së saj gjithsej 4 kandidatë, vetëm prej datës 6 shtator e deri më sot, një për pozitën Zyrtar për Multimedia, dy kandidatë për “Marrëveshjen për shërbime të veçanta” si Bashkëpuntorë arkivi, si dhe një Asistente administrative në Divizionin e Prokurimit.
Megjithatë, thirrje publike, konkurse të hapura dhe kandidatë të suksesshëm janë shpallur edhe brenda ministrive të tjera në prag të zgjedhjeve. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe ministri në largim, Pal Lekaj duke hapur konkurs për 19 pozita të reja dhe 3 avancime në Ministrinë e Infrastrukturës.
Buletini Ekonomik ditë më parë pati raportuar edhe për disa konkurse tjera si në ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në krye me Endrit Shalën, i cili shpalli gjashtë konkurse për pozita të ndryshme, brenda ministrisë që e udhëheq.
Ndërkaq, Ministria e Kulturës përkundër ministrive tjera për konkurse dhe punësime ajo kishte bërë thirrje publike me ç’rast ajo do të mbështesë disa organizata jo-qeveritare, që kanë fokus fuqizimin e të rinjëve. Ministria në fjalë, me përfaqësuesin kryesor të saj në largim e sipër, Kujtim Gashin, për financimin e këtyre OJQ-ve, ka paraparë një vlerë totale prej 70 mijë eurove nga buxheti i saj, përderisa sipas tyre shuma minimale e mbështetjes financiare për çdo projekt individual është 1 mijë e 500 euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt shkon edhe deri në 4 mijë euro.
10 njoftime për kandidatë të suksesshëm e shpallje për pozita të reja, janë publikuar edhe në vegëzën e konkurseve të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike këto ditë.
Gjithashtu, nëpër media u raportua edhe për një rritje enorme të numrit të veteranëve të rrejshëm në këtë kohë fushate.
Këto punësime të paligjshme dhe thirrje publike në fund të mandatit të tyre dhe në prag të zgjedhjeve po vlerësohen si punësime poltike, dhe abuzim i pastër me paranë publike. /Buletini Ekonomik/