Ministria e Integrimit Evropian, e cila udhëhiqet nga ministrja në largim, Dhurata Hoxha, ka disa muaj që ka zhvendosur pjesën më të madhe të stafit në një objekt privat me qira.
Nga buxheti i përgjithshëm i shpenzuar për muajin gusht (muajin e kaluar) prej 138 mijë euro, kjo Ministri vetëm për qira ka paguar 55 mijë e 349 euro, raporton portali “Front Online”.
Burime të “Front Online” kanë bërë të ditur se shumica e stafit të kësaj Ministrie është zhvendosur në një objekt privat me qira në Lagjen “Pejton” të Prishtinës, përderisa vetëm ministrja Hoxha dhe kabiteti i saj vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat ku kanë qenë më herët, në kuadër të institucioneve shtetërore.
“Front Online” i ka dërguar pyetje Ministrisë së Integrimit Evropian se për cilat objekte është paguar mbi 55 mijë euro qira gjatë muajit të kaluar dhe me cilën kompani private kanë arritur një marrëveshje të tillë, por nga institucioni që e drejton Dhurata Hoxha nuk kanë kthyer kurrfarë përgjigje.
Dhurata Hoxha në Qeverinë “Haradinaj” ka drejtuar Ministrinë e Integrimit Evropian, e cila kishte premtuar disa herë se vizat me BE-në do t’i hiqen qytetarëve të Kosovës, mirëpo këta të fundit vazhdojnë të mbesin të izoluar.
Hoxha është kandidate e PDK-së për deputete në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor 2019 në Kosovë.