Në prag të zgjedhjeve të parakohshme, Ministria e Kulturës në krye me ministrin në detyrë, Kujtim Gashi ka vendosur t’i shpenzojë gjithsej 70 mijë euro nga paratë e taksapaguesve kosovarë për OJQ-të, përcjell Buletini Ekonomik.
Ministri në detyrë, Kujtim Gashi u ka bërë thirrje publike të gjitha organizatave jo-qeveritare në Kosovë, që kanë fokus fuqizimin e të rinjve në vend që të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet që kontribuojnë në avancimin dhe afirmimin e të rinjve në Kosovë.
Ministria në fjalë, për financimin e këtyre OJQ-ve, ka paraparë një vlerë totale prej 70 mijë eurove nga buxheti i saj, përderisa sipas tyre shuma minimale e mbështetjes financiare për çdo projekt individual është 1 mijë e 500 euro, ndërsa shuma maksimale për një projekt shkon edhe deri në 4 mijë euro.
Afati i fundit për aplikim për këtë mbështje financiare nga Ministria e Kulturës është data 1 tetor i këtij viti, përkatësisht vetëm 5 ditë para datës së zgjedhjeve të parakohshme në vendin tonë, pra 6 tetori.
Megjithatë, kjo thirrje nuk është e vetmja që është shpallë në prag të zgjedhjeve. Të njëjtën gjë e ka bërë sot edhe ministri në largim, Pal Lekaj duke hapur konkurs për 19 pozita të reja dhe 3 avancime në Ministrinë e Infrastrukturës. Këto punësime dhe thirrje publike në fund të mandatit të tyre dhe në prag të zgjedhjeve po vlerësohen si punësime poltike. /Buletini Ekonomik/