Kurdisje kriteresh në konkursin për zv/guvernator të BQK-së?

BQK - Buletini Ekonomik

Konkursi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për Zëvendësguvernator për Mbikëqyrje Financiare, po dyshohet të jetë i kurdisur. Dyshimet janë ngritur pas ndryshimit të një kriteri specifik për aplikim nga BQK-ja në konkursin e dytë, për t’iu përshtatur kandidatit që është i afërt me partinë në pushtet.

BQK-ja për këtë pozitë kishte shpallur të njëjtin konkurs dy herë brenda pak muajve. Njërin në shtator 2023 që ishte anuluar për mosplotësim të kritereve nga kandidatët, dhe tjetri në dhjetor 2023, ku ishin përzgjedhur dy prej tyre.

Milot Cakaj dhe Nesrin Shileku – Shala, janë emrat e kandidatëve të emëruar si zëvendësguvernator në BQK në konkursin e dytë.

Reklama e sponzorizuar

Cakaj, më herët ka qenë ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti. Ai ishte emëruar nga Kurti si këshilltar politik i tij më 20 mars të vitit 2020, në Qeverinë Kurti I, përcjell Buletini Ekonomik.

Në njoftimin e bërë nga BQK-ja me rastin e përzgjedhjes së tyre në këtë pozitë, thuhej se “Përzgjedhja është bërë sipas kërkesave të Ligjit të BQK-së përmes një procesi konkurrues dhe meritor, me propozim të Guvernatorit”.

Mirëpo, ajo që bie në sy në këtë konkurs të përsëritur dy herë brenda tre muajve, është ndryshimi i kriterit të shkollimit në konkursin e dytë nga ai i pari – i shpallur në shtator 2023.

Në konkursin e shtatorit 2023, tek pjesa e kritereve, përkatësisht tek kriteri i tretë specifikohet që kandidati duhet: “Të ketë përgatitje universitare në fushat e ekonomisë, financave, bankave, kontabilitetit apo çështjeve juridike”.

Kriteret në konkursin e parë, të shpallur në shtator 2023

E në konkursin e njëjtë të shpallur më pas në dhjetor të 2023-tës, kriteri i tretë i cekur më lartë, është ndryshuar me këtë përmbajtje: “Të ketë diplomë universitare (studimet themelore)”.

Kriteret e konkursit të dytë, të shpallur në dhjetor 2023

Burime të Buletinit Ekonomik kanë treguar se Cakaj ka aplikuar për këtë pozitë edhe në konkursin e shtatorit, e edhe në atë të dhjetorit.

Dyshimet për kurdisje të konkursit shtohen kur analizohet CV-ja e tashmë zv/guvernatorit Cakaj. Aty shihet se ai ka diplomë dhe është baçellor i Shkencave në Shkenca kompjuterike dhe Inxhinieri, dhe jo i diplomuar në fushën e ekonomisë, financave apo kontabilitetit, siç kërkohej në konkursin e parë të BQK-së për zv/guvernator.

Sipas konkursit të parë, kandidatët me përgatitjen e Cakajt nuk kanë mundur të kalojnë as në fazën e intervistimit.

Buletini mëson se në konkursin e parë kandidati më i poentuar ishte Berat Begu, një zyrtar i BQK-së me përvojë të gjatë në këtë insitutcion. Ai nuk e kishte arritur pragun prej 70 pikësh për t’u përzgjedhur.

Në konkursin e dytë, të shpallur në dhjetor 2023, pas ndryshimit të kriterit të shkollimit, kandidati Cakaj i kaloi të gjitha fazat e konkursit, duke u përzgjedhur i pari në listë me gjithsej 75 pikë.

BQK-ja nuk është përgjigjur në pyetjet e Buletinit Ekonomik edhe pas insistimeve të shumta për dy muaj rresht, se pse ka ndryshuar kriteri i shkollimit në konkursin për zv/guvernator për mbikëqyrje financiare. BQK madje nuk kanë ofruar as qasje në dokumente publike, përkatësisht në listën me emrat e kandidatëve që kanë aplikuar në të dyja konkurset, duke u thirrur në privatësinë e individëve, edhe pse konkursi ka qenë publik.

Cakaj së bashku me Nesrin Shileku – Shala, me të marrë këtë pozitë, do të jenë përgjegjës primar për fushën e Mbikëqyrjes Financiare, Praktikat e Tregut, Rishqyrtimin dhe Shërbimet e Përgjithshme në BQK.

Më herët, Cakaj ka qenë specialist i menaxhimit të projekteve në bankën Raiffeisen në Prishtinë, më pas analist i të dhënave dhe specialist i modeleve në këtë bankë, si dhe më 2013 si menaxher i portofolios në të njëjtën bankë. Ndërsa, te përshkrimi i punës në zyrën e kryeministrit, thuhet se Cakaj ka qenë pjesë e kabinetit të kryeministrit, në kapacitetin e këshilltarit politik i angazhuar në sektorin e energjisë dhe ekonomisë, me fokus të veçantë në sektorin financiar. /Buletini Ekonomik/