Rreth 2 javë është dashur të presë shoqëria civile për të pasur qasje në dokumentet zyrtare për lejet e lëshuara nga Ministria e Mjedisit për ndërtimin e hidrocentraleve në Brezovicë.
Pavarësisht kërkesës së tyre, në takimin e mbajtur këtë të hënë ndërmjet zyrtarëve të Ministrisë dhe përfaqësuesve të organizatave, këtyre të fundit nuk u janë ofruar të gjitha dokumentet e kërkuara, raporton KTV.
Granit Gashi nga organizata “GAIA Kosovo” thotë se nëse Ministria nuk ofron qasje në dokumente të tjerë, ata do ndjekin çdo rrugë ligjore që u takon.
Organizatat që merren me mjedisin, vazhdojnë edhe më tutje të kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve në pjesët e Parkut Nacional të Sharrit.
Ky takim ka qenë i mbyllur për media, ndërsa Ministria e Mjedisit nuk u është përgjigjur pyetjeve të KTV-së për takimin.
Sipas burimeve të televizionit në Parkun Nacional të Sharrit janë planifikuar të ndërtohen 11 hidrocentrale, 2 prej të cilëve kanë përfunduar, e një tjetër është duke u ndërtuar.
Të shtunën organizatat që merren me mbrojtjen e mjedisit, kanë protestuar kundër ndërtimit të hidrocentraleve në pjesën e Parkut Nacional të Sharrit.