Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, dje ka shpalosur programin e saj për shëndetësi, me ç’rast ka premtuar investim në shëndetësi me 200 milionë euro qysh në nisje të qeverisjes së saj.
“Qysh në ditët e para të qeverisjes sime do t’i jap një shtytje prej 200 milionë eurosh për fushën e shëndetësisë, që do të shërbejnë për mbulimin 100% të nevojave të pacientëve për barna e material shpenzues, për investim në aparaturë, të cilat ndikojnë në rritje të cilësisë”, ka thënë ajo, shkruan sot gazeta Zëri.
Osmani ka treguar se shëndetësia do të jetë shtylla kryesore e programit të saj qeverisës. “Kam kërkuar me shumë ngulm që shëndetësia të jetë shtylla themelore e gjithë programit tonë, sepse e konsideroj investim jo vetëm në sistemin shëndetësor, por investim në sistemin tonë ekzistencial të shtetit tonë në tërësi”, ka thënë ajo.
Sipas saj, situata e shëndetësisë në Kosovë është emergjencë kombëtare. Ajo ka thënë se masat që do t’i ndërmarrë ajo nëse vjen në krye të qeverisë do të bëjnë transformim rrënjësor. Osmani në këtë konventë ka shpalosur disa nga shtyllat e programit të saj për zhvillim shëndetësor. “Dua të nënvizoj disa shtylla që do të jenë prioritet dhe do të ndihmojnë ta nxjerrim sistemin tonë shëndetësor nga gjendja aktuale kaotike dhe do të kthejnë dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë dhe besimin e pacientëve. E para është fondi i sigurimit shëndetësor, që është shtylla kryesore mbi të cilat do të mbështeten reformat e sistemit shëndetësor. Presim që funksionalizimi i fondit të bëhet qysh në vitin e parë të qeverisjes sonë. Shtylla e dytë është mjekësia familjare. Shtylla e tretë është decentralizimi i SHSKUK-së. Shtylla e katërt ka të bëjë me nivelin e arsimimit për kuadro, por si një njeri që i sheh këto tepër të ndërlidhura me njëra-tjetrën kemi vendosur themelimin e Universitetit të Shkencave Mjekësore. Shtylla vijuese është fuqizimi i diagnostikës. Rreth 100 milionë euro do të shfrytëzohen për blerjen e aparaturës së re mjekësore”, ka deklaruar ajo.
Ndërsa mjeku Izet Sadiku nga ky subjekt politik ka bërë të ditur se ky program parasheh dyfishim të buxhetit dhe krijim të qëndrueshmërisë financiare të këtij sektori. “Programi për shëndetësi parasheh dyfishim të buxhetit dhe krijim të qëndrueshmërisë financiare të këtij sektori, 100 për qind furnizim me barna dhe material shpenzues, lehtësim të institucioneve shëndetësore të nivelit dytësor dhe tretësor”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se do të krijohen institute të reja për pavarësim të klinikave dhe blerjen e aparaturave të reja. “Gjithashtu synojmë krijimin e instituteve të reja dhe pavarësim të klinikave. Fuqizim të diagnostikës duke blerë aparaturë të reja për QKUK-në dhe për spitalet regjionale dhe hartim të protokolleve mjekësore. Fuqizim të odave profesionale, zhvillimi të odave profesionale shëndetësore, zhvillim të programeve parandaluese dhe të mjekësisë familjare, krijimin e rrjetit të mjekëve, të cilët punojnë dhe veprojnë në diasporë, si dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, tha ai.
Tutje Sadiku ka shtuar se programi i LDK-së për shëndetësi në qendër të vëmendjes do ta ketë pacientin, duke ofruar shërbime cilësore dhe universale. “Programi ynë do ta rritë dinjitetin e punëtorëve të shëndetësisë kosovare, e cila ka munguar dhe duke rritur këtë dinjitet do t’i rrisim edhe shërbimet e dinjitetshme për pacientet tanë”, ka përfunduar ai.