I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se është i bindur se mund të arrihet një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë
Palmer thotë se bisedimet mes dyja vendeve duhet të jenë më serioze dhe të çojnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Do të ishte ideale të bazohej në njohjen e ndërsjellë. Në kohën kur të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve, ne do të jemi atje si partnerë në kërkim të një marrëveshjeje që do të jetë e pranueshme për të gjithë, e qëndrueshme dhe e drejtë dhe që do të ndihmojë Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së”, tha Palmer për RTCG e Malit të Zi, transmeton gazeta Exppres.
Palmer, po ashtu, ka deklaruar se vendi i tij do ta përkrahë Qeverinë e Prishtinës që është e përkushtuar në dialog dhe se Rusia dëshiron një rajon të bazuar në trazira dhe mosbesim.
“Një nga qëllimet tona kryesore është të mbështesim formimin e një qeverie në Kosovë e cila është e angazhuar për dialog, që do të thotë pezullimin e taksës dhe kthimin në tryezën e bisedimeve”, tha Palmer.
Ai krejt në fund shtoi se me arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte shumë e rëndësishme edhe për rajonin pas rritjes së ndikimit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.