Partitë politike: Taksa vazhdon edhe pas zgjedhjeve

Mbajtja ose pezullimi i vendimit për taksën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës, tashmë në dorëheqje, do të jetë një nga sfidat kryesore për partitë politike, të cilat potencialisht synojnë të marrin pushtetin pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Megjithatë, partitë politike, të cilat do të garojnë në këto zgjedhje, të paktën në mënyrë deklarative, vazhdojnë të mos shprehin vullnet për të pezulluar vendimin për këtë taksë, në rast se arrijnë t’i fitojnë zgjedhjet dhe mandatin për të qeverisur me vendin.

Për më shumë, shumica e tyre, raportin me Serbinë e shohin mbi parimin e reciprocitetit.

Reklama e sponzorizuar

Zëvendëskryeministri në dorëheqje, Enver Hoxhaj, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë që qasja e këtij subjekti politik nuk ka ndryshuar lidhur me taksën. Sipas tij, në rast se PDK-ja merr mandatin për të qeverisur vendin pas zgjedhjeve, vendimi për taksën do të vazhdojë të zbatohet.

“Taksa duhet të mbetet në fuqi, përderisa Serbia nuk e ndalon fushatën agresive në raport me Kosovën. Vetëm kur atëherë ne të shohim një qëndrim zyrtar që Serbia e ndalë fushatën e egër për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, si dhe kur të ketë kushte për fillimin e dialogut, ne do të shohim se si do t’i qasemi Serbisë”.

“Por, parimi që duhet ta përcjellë raportin e Kosovës me Serbinë, në të ardhmen do të jetë parimi i reciprocitetit. Edhe kur e kemi sugjeruar idenë e taksës, paralelisht e kemi pasur në kokë parimin e reciprocitetit, por, natyrisht që taksa ka qenë mjet, ndërkaq dialogu është qëllim”, thekson Hoxhaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës mban qëndrimin që taksa ndaj produkteve të Serbisë mund të hiqet vetëm atëherë kur të aplikohen parimet e reciprocitetit. Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë, se largimi i taksës mund të ndodhë vetëm atëherë kur Serbia largon të gjitha pengesat ndaj shtetit të Kosovës.

“Qëndrimi jonë është parimor, jo vetëm qeverisës, por është qëndrim parimor politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës që taksa ndaj produkteve të Serbisë hiqet vetëm me kushte, në suaza të veprimeve reciproke të dy shteteve, pra të Kosovës dhe Serbisë”, tha Mustafa.

Rexhep Selimi, anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që ky subjekt politik, në rast se merr mandatin për qeverisjen e vendit, do të aplikojë reciprocitet të plotë tregtar, ekonomik dhe politik, në raport me Serbinë.

“Taksa është diçka, por jo gjithçka. Taksa është e nevojshme, por jo e mjaftueshme, që Kosova përballë Serbisë të sillet me integritet shtetëror dhe të ketë raport reciprociteti. Prandaj, nuk është lajm i ri që Lëvizja Vetëvendosje do të aplikojë masa të tilla në të gjitha fushat, qofshin ato politike, ekonomike dhe tregtare. Ne nuk do të shënojmë hap prapa për sa i përket këtij drejtimi. Nëse do të hiqej taksa, do të ishte një hap tjetër, i cili do ta zbatonte këtë reciprocitet. Prandaj, ne taksën do ta zëvendësonim vetëm me masa përtej saj dhe jo në raportin regresiv”, shprehet Selimi.

Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në rast se kjo parti fiton mandatin për të qeverisur, nuk do ta ndryshojë vendimin, të cilin e ka marrë lideri i saj, Ramush Haradinaj, kryeministër në dorëheqje i Kosovës.

Ai shton se edhe në partneritet eventual qeverisës do të hyjnë me partitë që e mbrojnë vendimin për taksën.

“Tarifa e vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur duke vendosur interesin e Kosovës dhe prodhuesit e saj. Prandaj, edhe në të ardhmen, në qeverisjen Haradinaj, kjo taksë do të vazhdojë të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Pavarësisht të gjithave, Kosova ka të drejtë të mbrojë tregun e vet dhe interesat e veta dhe nuk lejohet në asnjë mënyrë që Serbia, përmes shfrytëzimit të tregut të Kosovës, të armatoset dhe të lobojë kundër Kosovës”, thekson Isufi.

Qeveria e Kosovës, e cila tashmë është në dorëheqje, fillimisht, më 6 nëntor të vitit 2018, pati marrë vendim që të vendos masën për taksë prej 10 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Më 21 nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës, ka marrë vendimin tjetër për rritjen në 100 për qind të taksës për mallrat e këtyre dy vendeve. Ky vendim erdhi vetëm një ditë pasi që Kosova dështoi të anëtarësohet në INTERPOL dhe është parë si një kundërpërgjigje ndaj politikës agresive të Serbisë ndaj këtij anëtarësimi, si dhe lobimit të diplomacisë serbe te vendet e caktuara për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Përderisa autoritetet e Serbisë e kanë kushtëzuar vazhdimin e dialogut me Kosovën me heqjen e kësaj takse, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë kërkuar nga Kosova që ta pezullojë vendimin për taksën, në mënyrë që të bëhet i mundur vazhdimi i dialogut që synon arritjen e një marrëveshjeje të përgjithshme, gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese ndërmjet dy vendeve.