Albin Kurti, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër ka thënë se një nga vendimet e tij më të rëndësishme që do ta bënte si shef i Qeverisë janë ai për Fondin Sovran dhe Bankën Zhvillimore, njofton Klan Kosova.
Kurti në “Fol Hapur” deklaroi poashtu se Kosova nuk ka nevojë për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
“Vendimet më të rëndësishme të miat janë për fondin sovran dhe bankën zhvillimore, nuk kanë kuptim të jenë 17 ndërmarrje publike qendrore dhe të operojnë vetëm tri. Si është e mundur kjo punë kështu ndërrohen Qeveritë dhe i kemi ndërmarrjet që në fund operojnë me humbje deri kur do të jetë kjo kështu”.
“Pra duhet këto ndërmarrjet publike t’i sjellim në fond sovran që të kemi një menaxher me përvojë, sidomos në financa globale dhe një bord në fondin sovran që këta të gjithë i raportojnë Kuvendit”.
“AKP-në ndërmarrjeve shoqërore tua heqim, nuk kemi më nevojë për AKP-në boll kemi dëme, AKP mbyllet e cila zëvendësohet me fondin sovran, i cili do të jetë aksionari kryesor në Trepça, në KEK dhe Telekom, me ndërmarrjet tjera shoqërore bashka me ndërmarrjet tjera publike shndërrohen në shoqëri aksionare ku ne mund te shesim pjesërisht aksione dhe jo të ketë privatizim. Do të ketë menaxhim të mirë dhe të përgjegjshëm”.
Kryetari i LVV-së tha se Vjosa Osmani në Qeverinë e ardhshme do të jetë kryeparlamentare.
“Unë besoj që kryeministri i ardhshëm duhet të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së dialogut me Serbinë.
“Këtë nuk mund ta bëjë rivalja ime Vjosa Osmani, sepse ajo do të jetë kryeparlamentare, sepse pas 6 tetorit kryeministri do të jem unë. Dhe duhet të krijojmë një ekip negociator që do të ketë strategji përkatëse që do t’i ketë edhe parimet e dialogut. Në mënyrë që të mos krijohet një farë kakomonie në këtë aspekt, por kjo nuk vie menjëherë”.
Kurti deklaroi se për dialogun me Serbinë ju nevojitet një komision që i mbyll 30 marrëveshjet e deritanishme.
“Një herë na nevojitet një komision që e mbyll shpejt kapitullin e 30 marrëveshjeve, të realizuara për gjatë dialogut gjatë viteve 2011 – 2017, ku disa prej tyre janë realizuar disa nuk janë, disa kanë pasur ndonjë ndikimi tek qytetarët disa fare”.
“Duhet të kemi një bilanc të dialogut, nuk është mirë të ecim para, duhet të kemi një bilanc kjo do të merr me javë kjo është shumë me rëndësi të dimë ku jemi”.
“E dyta duhet të fillojmë dialogun tonë të brendshëm për platformën për parime dhe strategjitë dhe dialogun me Brukselin për dialogun me Serbinë”, tha Kurti gjatë këtij debati.









