Dëshmitari Sheqir Halimi, në gjykimin ndaj 42 mjekëve të akuzuar për korrupsion në rastin “Stenta 2”, ka thënë se mjeku Lulzim Kamberi, i kishte thënë atij se mund të shërohej për 700 euro, ndërsa tha se spitali turk për vendosjen e një stente ia kishte marrë 2200 euro.
Këtë deklaratë, dëshmitari Halimi e dha në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka vazhduar gjykimi ndaj mjekut Gani Bajraktarit dhe 41 mjekëve të tjerë që po akuzohen në këtë rast.
Dëshmitari Halimi, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Florije Shamolli, ka thënë se për shkak se kishte pasur probleme në frymëmarrje për një kohë, ishte paraqitur në QKUK te mjeku Lulzim Kamberi, i cili e kishte kontrolluar dhe ia kishte sugjeruar disa ushtrime.
“Doktor Lulzimi më ka thënë se për këto ushtrime nuk punojnë pajisjet në spital, dhe më ka thënë se kur të rregullohet aparati me 700 euro muj me u shëru”, ka thënë dëshmitari Halimi.
Sipas diagnozës, deklaroi se mjeku i kishte thënë se ishte e nevojshme vendosja e stentës.
“Doktori Lulzim u mundu me më ndihmu, por kam kuptuar nga ai se stentimi nuk mundet me u kry në QKUK, e pastaj ai më tha me shku te spitali turk. As koronografia nuk më është bërë në QKUK, dhe pas rreth dy javë jam paraqitur të mjeku Kamberi, ai më ka thënë me ardhë nesër në spitalin turk, me vendosë stentën”, ka deklaruar dëshmitari.
Ai tha se kur kishte shkuar atje, ishte takuar me mjekun Lulzim Kamberi dhe me disa mjekë të tjerë, të cilët e kishin dërguar në sallë të operacionit për vendosjen e stentës, ndërsa pasi përfundimit të operimit, ai tha se ky spital ia kishte kërkuar 2.200 euro.
“Kam shku, mjeku më ka prit dhe menjëherë me disa mjekë të tjerë të atij spitali më kanë dërguar në sallë. Unë kam prit me 700 euro, ashtu siç më ka thënë Kamberi do të kushtojë shërimi im, mirëpo pasi u kry operacioni në momentin kur kam pasur me dalë nga spitali mi kanë kërkuar 2.200 euro, dhe më kanë thënë se kanë vendosur një stentë”, ka thënë ai.
Ai tha se CD-ja të cilin ia kishte lëshuar ky spital kishte qenë e zbrazët, mirëpo sipas tij, kur kishte shkuar tek mjeku Kamberi, ai i kishte thënë që të shkojë tek spitali turk dhe të marrë një tjetër CD.
“Edhe CD e dytë e kam shikuar dhe kam vërejtur se nuk shihet fotografia, kinse ma kanë vendosur stentën”, ka thënë dëshmitari.
Në pyetjen e të akuzuarit Kamberi, drejtuar dëshmitarit se në cilën pjesë e konsideronte fajtor, ai ka deklaruar se mjeku Lulzim Kamberi ishte munduar t’i ndihmojë atij dhe kishte shkuar në spital sipas fjalëve të tij.
Pasi dëshmitari ka deklaruar se nuk i kujtohej se kush ia kishte vendosur stentën, i akuzuari Kamberi e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në prokurori, në të cilën kishte deklaruar se stentën ia kishte vendosur një mjek turk.
Lidhur me këtë deklaratë, dëshmitari ka thënë se kishte qenë e vërtetë ajo se çfarë kishte deklaruar.
Pasi dëshmitari në deklaratën e dhënë në prokurori në vitin 2014, kishte deklaruar se mjeku Lulzim Kamberi, i kishte thënë se koronografia kushtonte 700 euro, ndërsa në deklaratën e dhënë në seancën e së premtes, kishte deklaruar se Kamberi i kishte thënë se i tërë shërimi do t’i kushtonte me atë çmim, dëshmitari është pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Kelmend Pallaska, avokati Ramë Dreshaj, se cila kishte qenë e vërteta.
Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se Lulzim Kamberi nuk i kishte kërkuar atij tjera para, përpos shumën prej 700 euro.
Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Shadije Gërguri se cila kishte qenë arsyeja se përse e konsideronte vetën të dëmtuar, dëshmitari ka thënë se arsyeja e parë kishte qenë CD-ja e cila kishte qenë e zbrazët dhe premtimi nga Kamberi se i tërë shërimi do t’i kushtonte 700 euro e jo 2.200 euro.
Ai në fund ka deklaruar se edhe pas vendosjes së stentës ndihej njëjtë sikur para vendosjes së saj, ndërsa ka thënë se nuk kishte bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për kompensimin e shumës prej 2.200 euro.
Ndryshe, kjo seancë është ende duke vazhduar, në të cilën do të dëgjohen edhe dy dëshmitarë.
Në rastin “Stenta 2”, kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Ferid Susuri, Murat Abazi dhe Ferihane Sefa.
Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 42 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galin Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Sami Gjoka, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.
Këta të akuzuar ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.
Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.
Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv. Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private është ende në fazën fillestare.
Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.
Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.
Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë, tua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.
Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.
Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marr ryshfet.
Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.
Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.
Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.
Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.
Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik. Mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.
Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi/