Skelet e vendosura në të dy anët dhe një rrjetë e gjelbër ende nuk i janë hequr “Shkollës së parë shqipe” në kryeqytet. Ndonëse Komuna e Prishtinës kishte paraparë qysh vitin e kaluar ndërhyrje në këtë objekt, i cili është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, punimet nuk kanë lëvizur asnjë hap përtej “intervenimeve emergjente”.
Në kuadër të “konservimit” ishte paraparë stabilizimi i themeleve të ndërtesës, pastrimi i pjesës së brendshme dhe sigurimi i dyerve të reja, shkruan sot Koha Ditore.
Por Komuna e Prishtinës është shprehur e kënaqur me faktin që punimet kanë përfunduar sipas planifikimeve.
Blerta Basholli, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se në kontratën e vitit të kaluar është paraparë vetëm pastrimi i objektit të “Shkollës së parë shqipe”.
“Në kontratën e vitit 2018, ‘Rinovimi i objekteve të trashëgimisë kulturore’ është planifikuar si fazë e parë pastrimi i objektit të ‘Shkollës së parë shqipe’. Punët që janë paraparë të kryhen kanë përfunduar sipas kontratës”, ka thënë ajo në një përgjigje me shkrim për gazetën.
Vitin e kaluar, pronarët kishin kundërshtuar fillimisht ndërhyrjen në të me arsyetimin se ka mungesë dokumentacionesh që vërtetojnë se ky objekt kishte qenë shkollë. Por Basholli ka thënë se Komuna nuk ka pasur paqartësi gjatë fazës së pastrimit.