Në Kosovë, në vitin 2024 humbjet e energjisë në rrjet ishin 14,49 për qind

Sipas KEDS-it, krahasuar me vitin 2013, kur edhe është privatizuar ish-Distribucioni i energjisë në vendin tonë, tani humbjet e energjisë elektrike në rrjet janë përgjysmë më të ulëta. Lulzim Krasniqi, zëdhënës i KEDS-it, ka thënë për Buletinin Ekonomik se më 2013-tën, përkatësisht në vitin kur është blerë distribucioni, humbjet e energjisë elektrike në rrjet kanë qenë në nivelin 34,2 për qind, ndërsa në vitin 2024 këto humbje janë ulur në nivelin 14,49 për qind.

Buletini Ekonomik

Në Kosovë, sipas të dhënave të KEDS-it, kompani kjo turke për furnizimin e konsumit të vendit me energji elektrike, humbjet në rrjetin e shpërndarjes së energjisë janë ulur ndjeshëm që nga privatizimi i ish- Distribucionit të atëhershëm të “Elektroekonomisë së Kosovës”.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të zyrtarëve të KEDS-it, krahasuar me vitin 2013, kur edhe është privatizuar ish-Distribucioni i energjisë, tani humbjet e energjisë elektrike në rrjet janë mbi përgjysmë më të ulëta. Lulzim Krasniqi, zëdhënës i KEDS-it, ka thënë për Buletinin Ekonomik se më 2013-tën, përkatësisht në vitin kur është blerë distribucioni, humbjet e energjisë elektrike në rrjet kanë qenë në nivelin 34,2 për qind, ndërsa në vitin 2024 këto humbje janë ulur në nivelin 14,49 për qind.

Humbjet në rrjet, sipas autoriteteve në KEDS, janë ulur gradualisht, nga viti në vit. Edhe në vitin e kaluar është shënuar ulje e humbjeve të rrymës në rrjet krahasuar me vitin paraprak.

Krasniqi ka paraqitur për Buletinin Ekonomik të dhënat konkrete të uljes së humbjeve të energjisë elektrike në vitin e kaluar, krahasuar me vitin paraprak. Sipas tij, më 2023 niveli i humbjeve të energjisë elektrike në rrjet ishte 15,32 për qind, ndërsa në vitin 2024 janë shënuar 14,49 për qind humbje të energjisë elektrike.

Sipas inxhinierëve në KEDS, humbjet e energjisë në rrjet shkaktohen nga rrjeti i amortizuar, që ndryshe vlerësohen si humbje teknike, dhe nga humbjet joteknike ku llogaritet shpenzimi i paautorizuar i rrymës nga konsumatorët, ose thënë më troç, vjedhjet e rrymës nga konsumatorët.

Përgjatë viteve, qëkur ka nisur operimin KEDS-i, kompania turke ka raportuar dhe ka bërë publike raste të panumërta të vjedhjes së energjisë elektrike nga konsumatorët individual, por edhe nga biznese të ndryshme. Ndaj të gjithë atyre që janë zënë në vjedhje të rrymës janë aplikuar sankaionet përkatëse nga gjykatat e vendit dhe nga KEDS-i (aksione të shumta për ndërprejen e lidhjeve të paautorizuara, ose të paligjshme nga KEDS).

Autoritetet në KEDS kanë raportuar po kështu, edhe për investime të shumta në modernizimin e rrjetit anëembanë Kosovës, që kanë ndikuar në uljen e humbjeve të energjisë elektrike në rrjet ndër vite.

Sidoqoftë, po të krahasohen humbjet e energjisë elektrike në rrjet në Republikën tonë me vendet fqinje dhe ndonjë nga rajoni, mund të thuhet se Kosova tani nuk qëndron edhe aq keq sa i përket humbjeve të energjië elektrike.

Në Shqipëri, bie fjala, gjatë vitit të kaluar u regjistruan 17.93 për qind humbje të energjisë në rrjet, ose rreth 1 për qind më pak se viti paraardhës, ku humbjet përllogariteshin në 18.9 për qind. Të dhënat janë publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë, dhe, siç raportojnë mediet shqiptare, të njëjtat tregojnë tendencë rënëse të raportuar vit pas viti. Madje thuhet se shifra e mësipërme është në linjë me objektivin e vendosur nga vetë Operatori i Shpërndarjes në fillim të vitit të kaluar për uljen e sasisë së energjisë që humbet në rrjet. Kjo përqindje e uljes së humbeve të rrymës u konsiderua ambicioze, duke marrë parasysh faktin se tejkalon objektivat e vendosura nga qeveria për reduktimin e humbjeve.

Sipas planit të rishikuar nga Qeveria e Shqipërisë, viti 2024 duhet të mbyllej me një nivel humbjesh prej 18.5%, apo 0.57% më shumë nga objektivi i OSHEE. Po ashtu, sipas këtij plani, në vitin 2025 humbjet duhet të jenë në nivelin 18.1%, ndërsa në 2026-ën 17.8%. /Buletini Ekonomik/