Trepça ka hapur konkurs për pranimin e 230 punonjësve të rinj. Nga bordi thonë se kërkesën për pranimin e tyre e ka bërë kryeshefi ekzekutiv i Trepçës. Ky vendim po shihet si fushatë. Kryeshefi i Trepçës ka thënë se hapja e konkursit të ri është nevojë e kompanisë dhe nuk lidhet as me fushatën e as me politikën. Kompania nga ana tjerër vazhdon të punojë me humbje.
Trepça, që pronarin kryesor e ka shtetin, si pothuajse çdo kompani tjetër publike në vend është në gjendje të rënduar financiare, ndërsa muajve të fundit punëtorët nuk i kanë marrë as pagat.
Me gjithë vështirësitë që ka, më datë 24 shtator, Trepça ka shpallur konkurs për pranimin e 230 punëtorëve të rinj në plot pozita.
Anëtari i Bordit të Trepçës, që deri tani ka qenë kryesindikalist, Shyqyri Sadiku, ka thënë për Gazetën Express se hapja e konkursit është bërë me kërkesë të kryeshefit ekzekutiv. Sadiku thotë se përmes një shkrese zyrtare i ka kërkuar kryeshefit ekzekutiv, Basri Ibrahimit, të mos bëhet fushatë përmes konkursit.
“Kryeshefi Ekzekutiv e ka bërë një kërkesë të tillë në bord, që të shpallet një konkurs për 200 veta. Ne bordi nuk jemi ata që mund ta pengojmë kur bën një kërkesë të tillë. I është mundësuar një konkurs i tillë dhe është shpallur konkursi. I kam shkruar përmes email-it sepse jam përfaqësues i punëtorëve, i mbroj aksionet e punëtorëve në Trepçë. I kam thënë mos e përdorni këtë për fushate zgjedhore”, ka thënë Sadiku.
Ai tregon se Trepça ka vështirësi në pagesën e punëtorëve që i ka tani dhe se akoma nuk janë marë pagat e muajve të fundit.
“Një pjesë e pagave akoma nuk i kemi marrë, domethënë qind për qind të pagave. Një pjesë i kemi marrë 60 për qind. 40 për qindëshin e pagës akoma nuk është realizu”, ka treguar Sadiku.
“Ne nuk po mund të realizojmë pagat e punëtorëve që janë tani, e lëre më të tjerëve. Ne kemi nevojë për fuqi punëtore, nuk mund ta mohoj këtë që kemi nevojë, por tash në këtë moment një numër i tillë prej 230 vetave, nuk e di..”, ka shtuar kryesindikalisti i deritanishëm, që tash e ka ngrirë postin e tij.
Ndërkaq, Kryeshefi ekzekutiv i Trepçës, Basri Ibrahimi, ka thënë për Gazetën Express se pranimi i punëtorëve të rinj është nevojë e domosdoshme e Trepçës, për t’u ngritur prodhimi në këtë kompani.
“Prej që kam ardhur këtu, informacionet që i kam marrë kanë qenë mungesa e punëtorëve dhe punëtorët e vjetër në moshë. Një statistikë që e kam, deri në vitin 2020, 250 veta dalin në pension. Ata aktualisht e kanë moshën 62 vjeçare. Po ashtu teknologjia e vjetërsuar. Për me investu na duhen shumë para, prandaj në analizën tonë që e kemi bërë, ripërtërirja e punëtorëve, energjia e re, e ndihmon prodhimin” , ka thënë Ibrahimi.
Ai thotë se nuk ka aspak lidhje me fushatën hapja e konkursit për pranimin e 230 punëtorëve të rinj, por kjo, sipas tij, është nevojë biznesore e Trepçës e jo politike.
“Nuk ka asgjë tjetër. E di që kemi pasur vështirësi, edhe kemi vështirësi por ne duhet të bëjmë lëvizje që mendojmë që janë adekuate për ta ngritur Trepçën”, ka thënë Ibrahimi.
Kryeshefi i Trepçës thotë se ai nuk mendon se çfarë impakti politik ka konkursi, por i intereson interesi biznesor i kompanisë që e udhëheq.
“Unë nuk jam politikan me mendu se kur është impakti politik, në çfarë kohe. Unë sillem si biznesmen dhe si udhëheq kur e kam marrë përgjegjësinë e udhëheqjes.Dhe unë i shoh interesat e kompanisë, jo të politikës. Prandaj sikur ta kishim bërë një muaji, para 10 ditëve, e njëjta situate do të vinte. Këta njerëz kanë me u pranu pas zgjedhjeve, jo para zgjedhjeve. Ne nuk kemi kohë me prit deri të kryhen zgjedhjet, deri të dalin rezultatet. Ne jemi udhëhequr prej interesit biznesor, jo prej interesit politik”, ka thënë ai.
Anëtari i Vetëvendosjes, që udhëheq qytetin ku gjendet kompania Trepça, Agim Bahtiri, fajëson politikën, përkatësisht Partinë Demokratike të Kosovës se po përdorë Trepçën për interesa të saj.
“Janë 100 për qind politike. Sa herë që ka fushatë, ajo [Trepça] përdorët. Por, do t’i lusja qytetarët të mos bien në grackë për arsye se e kërkojnë vetëm të marrin votën dhe të anulohet ai konkurs”, ka thënë Bahtiri për Gazetën Express.
Ai përmend se akoma nuk janë marrë pagat nga punëtorët dhe se hapja e konkurseve, sipas tij, ka ndodhur edhe më herë për të mashtruar qytetarët gjatë zgjedhjeve.
“Punëtorët akoma nuk i kanë marrë rrogat dhe janë akoma tre milionë euro minus, dhe ata kanë shpallur konkurs edhe në vitin 2017, e pastaj e kanë tërhequr. Atje po dërgohen edhe njerëz pa përgatitje dhe pa konkursë. Kjo është një punë që e bën PDK’ja gjithëherë dhe i shantazhon njerëzit e administratës të votojnë për të përndryshe do t’i largojnë nga puna”, ka thënë kryetari i Mitrovicës.
Trepça është kompani që ka aksionar 80 për qind shtetin, ndërsa 20 për qind të aksioneve u takojnë punëtorëve.
Minierat e Trepçës, që përfshijnë atë të Stantërgut, të Kishnicës, Artanës, dhe kompania në tërësi numëron 1240 punëtorë. Këtu përjashtohet pjesa veriore e Trepçës.