Kosovarët të izoluar, Ministria e Integrimeve shpenzoi mbi 16.000 euro për një muaj në udhëtime zyrtare

Përkundër premtimeve të vazhdueshme për heqje të vizave me Bashkimin Evropian (BE), qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkan që nuk mund të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen, raporton portali “Front Online”.

Derisa qytetarët po mbahen të izoluar, një fat të tillë nuk e përcjellë stafin e Ministrisë së Integrimit Evropian, e cila udhëhiqet nga ministrja në largim Dhurata Hoxha.

Shpenzimet e udhëtimit jashtë vendit për stafin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, sipas dokumentacionit që e posedon “Front Online”, vetëm për muajin gusht shkojnë në 16 mijë e 184 euro.

Reklama e sponzorizuar

Ministrja Hoxha disa herë u kishte premtuar qytetarëve të Kosovës heqjen e vizave me BE-në, madje kishte përmendur edhe fundin e vitit të kaluar për heqje të vizave, mirëpo një gjë e tillë nuk ka gjasë të ndodhë as në fund të këtij viti.

Përndryshe, Front Online edhe dje ka publikuar raportin e shpenzimeve astronomike të Ministrisë së Integrimit Evropian.

Nga buxheti i përgjithshëm i shpenzuar për muajin gusht (muajin e kaluar) prej 138 mijë euro, kjo Ministri vetëm për qira ka paguar 55 mijë e 349 euro, ka raportuar të enjten “Front Online”.

Burime të “Front Online” kanë bërë të ditur se shumica e stafit të kësaj Ministrie është zhvendosur në një objekt privat me qira në Lagjen “Pejton” të Prishtinës, përderisa vetëm ministrja Hoxha dhe kabiteti i saj vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat ku kanë qenë më herët, në kuadër të institucioneve shtetërore.

“Front Online” i ka dërguar pyetje Ministrisë së Integrimit Evropian se për cilat objekte është paguar mbi 55 mijë euro qira gjatë muajit të kaluar dhe me cilën kompani private kanë arritur një marrëveshje të tillë, por nga institucioni që e drejton Dhurata Hoxha nuk kanë kthyer kurrfarë përgjigje.