Veseli u propozon të gjitha partive të nënshkruajnë “Paktin Kundër Korrupsionit”

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, përmes një konference për media ka folur sërish për korrupsionin.

Ka thënë se vetëm përmes luftimit të kësaj dukurie Kosova mund të shënojë progres.

Sipas tij, javët e fundit ka folur për luftën ndaj korrupsionit, për listën që do ta përpilojë pa njerëz me aktakuzë, raporton Koha Ditore.

Reklama e sponzorizuar

Ka thënë se ka marrë vendim që t’i heqë nga të gjitha pozitat kyçe njerëzit që kanë aktakuzë për korrupsion.

“Unë propozoj sot një hap konkret- Boll me fjalë”, ka thënë Veseli.

I ka propozuar edhe partive të tjera që të nënshkruajnë një pakt kundër korrupsionit, të cilin e ka nënshkruar gjatë konferencës.

Pasi e nënshkruajti vet këtë pakt kundër korrupsionit, ka thënë se do t’ua dërgoj zyrtarisht secilit kryetar partie politike që garon në këto zgjedhje për ta nënshkruar të njëjtën.

Veseli ka thënë se “nuk është sekret që korrupsioni ka arritur nivele të larta në vendin tonë dhe po e dëmton shumë atë por lufta kundër korrupsionit është çështja më kritike në agjendën e tij”.

Tha se shumë të rinj po largohen nga vendi për shkak të mungesës së mundësive të barabarta; një rezultat ky i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe nepotizmit.

Veseli nuk lejoi që t’i parashtrohen pyetje nga gazetarët. U largua nga konferenca pa ua dhënë këtë mundësi.