3.4 milionë euro për dreka e darka nga buxheti i shtetit

Buxheti i shtetit është “tkurrurr” edhe për 3.4 milionë euro nga zyrtarët publikë të institucioneve të Qeverisë së kaluar, e cila udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, për dreka, darka, pije dhe dhurata të ndryshme, me qëllimin e vetëm reprezentimin e vendit.

Sipas Udhëzimit Administrativ që ka hartuar vet Qeveria e Kosovës, shpenzimet e reprezentacionit për kryeministrin dhe zëvendëskryeministrat janë të pakufizuara.

Ndërsa, shpenzimet për ministrat kufizohen deri në 500 euro në muaj, për zëvendësministrat deri në 200 euro në muaj, për këshilltarët politikë  deri në 100 euro, si dhe për shefat e kabineteve të ministrave deri në 50 euro në muaj. E këto limite janë tejkaluar pothuajse nga të gjithë zyrtarët në fjalë nga pak, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Këto shpenzime përfshijnë të gjitha shpenzimet që bëhen me qëllim të kryerjes së punëve dhe detyrave në kuadër të përgjegjësive të zyrtarëve publikë për dreka dhe darka, pije dhe dhurata të ndryshme për takime të ndryshme  zyrtare, e të cilat mbulohen nga buxheti i Kosovës.

Pos tjerash, këto shpenzime nuk lejohen të bëhen për qëllime individuale, por vetëm shtetërore dhe gjithsesi duhet të arsyetohen me fatura përkatëse të nënshkruara nga shpenzuesit, e në rast tejkalimi të shumave, zyrtarët përkatës janë të detyruar t’i  mbulojnë vet nga buxheti i tyre.

Sipas raportit vjetor financiar të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2018, janë shpenzuar gjithsej  3.4 milionë euro për dreka dhe darka zyrtare brenda dhe jashtë vendit nga buxheti i Kosovës. E krahasuar me vitin e kaluar, shpenzimet këtë vit janë  rritur për 528 mijë euro apo 18.1%.

Instituti GAP kishte kërkuar qasje në dokumente publike për shpenzimet e reprezentacionit nga zyra e kryeministrit dhe nga të gjitha ministritë për vitin 2018.

Por, kësaj kërkese të GAP-it iu kanë përgjigjur vetëm 14 ministri, kurse  zyra e kryeministrit dhe shtatë ministri të tjera siç janë: Ministria për Komunitete dhe Kthim, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimit Evropian, dhe Ministria e Diasporës, nuk iu kanë ofruar qasje në të dhëna.

Nga të dhënat e 14 ministrive që janë përgjigjur del se gjatë vitit 2018 janë shpenzuar gjithsej rreth 233 mijë euro për shpenzime të reprezentacionit.

Ministria e Shëndetësisë prinë me këto shpenzime me rreth 22 mijë euro në vit. Kurse, në krahasim me vitin e kaluar, e Ministria e Punëve të Brendshme kishte rritur shpenzimet për 9 mijë e 600 euro.

Siç e cekëm më lartë, vlera maksimale e shpenzimeve të reprezentacionit që i lejohen një ministri ishte 500 euro në muaj. Por, disa prej tyre edhe i kishin tejkaluar këto vlera të shpenzimeve mujore.

Ndër ta renditen tetë ministra, duke filluar nga Uran Ismaili, Besim Beqaj, Skender Reçica, Nenand Rikalo, Bejtush Gashi, Albena Reshitaj, Valdrin Lluka dhe Ekrem Mustafa.

Shuma më e madhe e tejkaluar është për 902 euro në muajin mars 2018, nga Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli. Pastaj, Besim Beqaj, Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, në muajin mars po ashtu ka tejkaluar shpenzimet për 869 euro, kurse Ekrem Mustafa, Ministër i Punëve të Brendshme, i cili pat filluar mandatin në tetor të vitit 2018, ka tejkaluar shpenzimet po në atë muaj që ka filluar punën për 446 euro.

Tejkalim të shpenzimeve mujore për reprezentacion kemi edhe tek gjithsej 19 zëvendësministra, të cilët në krahasim më ministrat që shuma e lejuar për shpenzime ishte 500 euro, te këta shuma maksimale ishte 200 euro.

Shuma më e madhe e tejkaluar është për 467 euro në muajin korrik  i përkiste Bujar Cakollit, i cili ishte Zëvendësministër në Ministrinë e Inovacionit.

Pastaj, Gani Koci, Zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik ka tejkaluar shpenzimet për 344 euro në muajin shkurt,  Hamza Balje, Zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, po ashtu kishte tejkaluar shpenzimet e reprezentacionit në muajin tetor për 304 euro.

Ndërsa, Fatmir Matoshi, Zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka tejkaluar shpenzimet për 300 euro vetëm në muajin shtator.

Mangu nuk kishin mbetur as edhe shefat e kabineteve të ministrive përkatëse, ku vlera e lejuar për ta ishte vetëm 50 euro në muaj, e me ç’rast të gjithë e kishin tejkaluar këtë shumë.

Të gjithë shefat e kabineteve i kishin tejkaluar shpenzimet mujore gjatë vitit 2018. Kështu, Amil Kaplani, Shef i Kabinetit në Minstrinë e Zhvillimit Rajonal, ka tejkaluar shpenzimet për secilin muaj prej janarit deri në nëntor për nga 50 euro.

E për Shefin e Kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, Altin Ademi, GAP-i ka pranuar vetëm të dhëna vjetore, ku gjithsej gjatë vitit 2018 kishte shpenzuar 1,100 euro, e që i bie rreth 92 euro në mesatare për një muaj.

Pas tij, Durim Limaj, Shef i Kabinetit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tejkalimet më të mëdha i ka pasur në muajt tetor-dhjetor për 50 euro (gjithsej 100 euro për muaj), kurse Bardh Ahmeti, Shef i Kabinetit në Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, tejkalimet më të mëdha i ka pasur në muajin mars për 50 euro dhe dhjetor për 41 euro, duke shpenzuar nga 100 e 91 euro respektivisht për të dy muajt.

Ndërsa, Besianë Musmurati, Shefe e Kabinetit në Ministrinë e Shëndetësisë, për periudhën korrik-dhjetor ka shpenzuar 485 euro, duke tejkaluar shpenzimet në muajt korrik-tetor, kurse Dukagjin Sokoli, Shef i Kabinetit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, për periudhën janar-prill ka shpenzuar 466 euro, duke tejkaluar shpenzimet në muajin janar për 240 euro (gjithsej 290 euro), si dhe në muajin shkurt (gjithsej 58 euro) dhe në prill (gjithsej 92 euro).

Kurse, Arianit Ibrahimi, Shef i Kabinetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në periudhën qershor, korrik dhe shtator ka shpenzuar 300 euro duke tejkaluar shpenzimet për 50 euro në secilin muaj (gjithsej 100 euro për muaj).

Bazuar në gjithsej shpenzimet për reprezentacion në vitin 2018, sipas GAP-it, pozita me shpenzimet më të larta në këtë kategori është ajo e zëvendësministrave, të cilët kishin shpenzuar mbi 91 mijë euro nga buxheti i shtetit. /Buletini Ekonomik/