Mëditjet për udhëtimet zyrtare brenda dhe jashtë shtetit përbëjnë një shumë të majme të shpenzimit të parasë publike nga drejtuesit e Qeverisë së Kosovës. Madje deri tani nuk ka pasur limite deri në sa para mund të marrin mëditje zyrtarët publik, ngase kjo varet nga numri i udhëtimeve dhe ditëve të kaluara në një vend të caktuar. Nga publikimi i fundit shihet se ministrat kanë shpenzuar goxha para për këtë çështje.
Albena Reshitja kishe drejtuar Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për rreth një vit e gjysmë. Po këtë detyrë ajo e kishte lënë me 1 gusht të vitit të kaluar, duke dhënë dorëheqje.
Mirëpo, Reshitaj edhe pse ishte larguar nga posti i ministres, para nga shteti kishte vazhduar të merrte.
Instituti GAP në publikimin e fundit që ka bërë ka treguar se Albena Reshitaj, kishte marrë rreth shtatë mijë euro mëditje, edhe pse kishte dhënë dorëheqje nga ky post.
“Sipas të dhënave të pranuara, del se Albena Reshitaj, si Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte marrë rreth shtatë mijë euro mëditje, edhe pse kishte dhënë dorëheqje nga ky post qysh në gusht 2018. Ndërsa Nenad Rikalo, si Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural radhitet i dyti me 2,284 euro më pak shpenzime”, thuhet në raportin GAP.
Kujtojmë se Albena Reshitaj kishte dhënë dorëheqje nga Ministrja e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor më 1 gusht të vitit të kaluar. Ajo në atë kohë kishte thënë se këtë po e bënë për arsye personale.
“Sot ka ardhur koha të ju falënderoj për përkrahjen dhe bashkëpunimin për gjatë gjithë këtyre muajve. Njëkohësisht falënderoj presidentin e AKR-së z. Behgjet Pacolli, Kryeministrin z. Ramush Haradinaj dhe të gjithë kolegët, me të cilët punuam së bashku. Vullneti dhe përkushtimi im për t’i kontribuar vendit, mjedisit ku jetojmë dhe veprojmë, do të vazhdojë gjatë gjithë jetës sime. Për shkaqe personale, sapo kam ofruar dorëheqjen time nga pozita e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, kishte deklaruar ajo.
Tutje GAP ka treguar se edhe në listën e Ministrive që kanë shpenzuar më së shumti para për mëditje. Nga të dhënat e prezantuara shihet se janë shpenzuar qindra mijëra euro.
Si shpenzuese më e madhe e parasë për mëditje prinë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që ishte drejtuar nga Albena Reshitaj.
“Shuma e shpenzuar për mëditje brenda dhe jashtë vendit nga 13 ministri është rreth 127 mijë euro. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është e para që listohet me mbi 25 mijë euro shpenzime për mëditje, ndërsa, pas saj radhitet Ministria e Zhvillimit Ekonomik me 4 mijë euro më pak, e kështu me radhë”.
Në raportin e GAP është treguar se sa i përket shumës së mëditjeve të zëvendësministrave. Aty tregohet se Hamza Balje – zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik kishte marrë më së shumti mëditje, mbi pesë mijë euro, i cili gjithashtu ka tejkaluar edhe shpenzimet e reprezentacionit.
I dyti radhitet Gani Koci – zëvendësministër i Zhvillimit Ekonomik me rreth tre mijë euro më pak shpenzime.
Nga viti 2004 deri në korrik 2018, shuma e mëditjeve për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit është llogaritur sipas rregullores së UNMIK-ut. Ndërsa në qershor të vitit 2018, Ministria e Financave (MF) ka aprovuar vendimin për ndryshim të tarifave të mëditjeve krahas standardit të jetesës në shtetin në të cilin udhëtohet. /FaktePlus/