Rreth 20 konkurse që nga muaji shtator janë shpallur vetëm nga Ministria e Infrastrukturës në shërbimin civil. Derisa qeveria është në dorëheqje dhe vendi në prag të zgjedhjeve, kjo ministri ka hapur pozita për shumë vende të reja në shërbimin civil.
Ministria e Mbrojtjes, gjithashtu, ka hapur më shumë se 10 konkurse në shërbimin civil. Shtatori ishte muaji i konkurseve edhe në Ministrinë e Kulturës dhe Sportit.
Edhe kjo ministri ka hapur një sërë pozitash në shërbimin civil, raporton KTV.
Por, të gjitha këto pozita në shërbimin civil kanë shtyrë Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë të reagojë këtë të mërkurë.
Duke iu referuar Ligjit për zyrtarët publikë, i cili është miratuar këtë vit, kjo zyrë ka thënë se nuk mund të vazhdohet me këto pozita të shpallura derisa aktet nënligjore nuk miratohen nga qeveria.
“Të gjitha vendet e lira të shërbimit civil të publikuara aktualisht nga institucionet e administratës shtetërore, siç janë ministritë, agjencitë ekzekutive dhe rregullatore, nuk mund të procedojnë përpara se të merren vendime të tilla nga Qeveria. Kjo është e vetmja rrugë e ligjshme dhe e shëndoshë përpara, që nuk i ekspozon institucionet para sfidave ligjore dhe përndryshe do të rrezikojë t’i ekspozojë institucionet dhe partitë politike ndaj akuzave dhe kritikave për politizimin e administratës publike”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së.
Më tutje, BE-ja i ka bërë thirrje Ministrisë së Administratës Publike që t’i informojë institucionet që vendet e lira të shpallura aktualisht nuk mund të vazhdojnë derisa aktet nënligjore të jenë të miratuara nga Qeveria.
“Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Administratës Publike t’i informojë institucionet publike që vendet e lira të shpallura aktualisht nga institucionet e Administratës shtetërore nuk mund të vazhdojnë, derisa aktet nënligjore dhe vendimet të jenë miratuar nga Qeveria”, ka thënë më tej BE-ja përmes zyrës së saj në Kosovë.
Në fund të këtij reagimi thuhet se BE-ja dhe Qeveria e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë së bashku, pasi të formohet një qeveri e re pas zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurojë zbatimin e duhur të reformës së administratës publike në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë.