BE: Largimi nga ENQA për faj të politikës

Shefja e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova ka lëshuar deklaratë lidhur me vendimin e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) lidhur me Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

“Me keqardhje kemi kuptuar që Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka dështuar në përpjekjet për të ripërtërirë anëtarësimin në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA)”, thuhet në reagim, transmeton KP.

Tutje thuhet se ky është një kthim prapa për Kosovën si pasojë e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të politikës.

Reklama e sponzorizuar

“Të qenit anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar mobilitetin për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës. Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i Qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”, thuhet më tutje në reagim.

Apostolova thotë se Qeveria e re duhet të punojë që pas dy vjetësh të mund të aplikojë për t’u rianëtarësuar.

“ENQA ka renditur faktorët që çuan në vendimin e tyre. Është dëshpëruese të shohësh që shumica e tyre mund të adresohen me vullnet politik të Qeverisë për t’i siguruar Agjencisë dhe Bordit të saj resurset e nevojshme. Qeveria e ardhshme duhet të adresojë menjëherë të gjitha çështjet së bashku me AKA-në dhe të sigurojë që pas dy vjetësh, kur Kosova përsëri të ketë të drejtën të aplikojë për anëtarësim, Kosova të rifitojë me sukses vendin e vet në dy institucionet evropiane për cilësi në arsim të lartë. Më e rëndësishmja, Qeveria e re nuk duhet të përsërisë gabimet e së kaluarës”, thuhet në reagim. “Ne inkurajojmë Bordin e AKA-së që të adresojë rekomandimet e ENQA-së dhe të vazhdojë përpjekjet për të siguruar cilësi në institucionet e arsimit të lartë. Bashkimi Evropian gjithmonë do të jetë i gatshëm të ndihmojë këtë proces”.