“Me asparagus mund të fitohet mirë” – Rrëfimi i të riut nga Istogu që kultivon perimen e rrallë

Alkend Tahirsylaj-agronom

Asparagusi, një prej perimeve që shquhet për vlerat ushqyese të tij, ka zënë fill të kultivohet tashmë edhe në Kosovë. I riu Alkend Tahirsylaj nga komuna e Istogut, me profesion agronom, ka investuar në kultivimin e asaparagusit me një sipërfaqe prej 1.7 hektarëve, dhe rendimentet e fituara thotë se janë goxha të larta.

(Intervistë e Buletinit Ekonomik me agronomin Alkend Tahirsylaj, nga komuna e Istogut)

Buletini Ekonomik

Alkend Tahirsylaj, njëri prej agronomëve të ri të vendit, ka 10 vjet qëkur ka filluar ta kultivojë asparagusin në vendlindjen e tij.

Reklama e sponzorizuar

Ai thotë se brenda një cikli prodhues, nga parcela e tij prej 1.7 hektarëve, familja e tij arrin që të vjelë mbi 3000 kilogramë asparagus.

Tahirsylaj vlerëson se në Kosovë ia vlenë që të kultivohet asparagusi, por tashmë çdo prodhues i ri që i futet prodhimit të asparagusit, sipas tij, duhet të orientohet vetëm në eksport të këtij produkti, pasi sipërfaqet e mbjellura në Kosovë momentalisht, i plotësojnë nevojat për konsum të brendshëm.

Gjithashtu, ai thotë se edhe për prodhuesit ekzistues vlen e njëjta gjë, që nëse e rrisin sipërfaqen, duhet të mendojnë vetëm për eksport.

Tahirsylaj e shpjegon me pak fjalë edhe procedurën e kultivimit të asparagusit.

Sipas tij, asparagusi është perim shumëvjeçar, që do të thotë se njëherë mbjellet, por mund të japë prodhim deri në 20 vite. Koha më e përshtatshme për mbjelljen e asparagusit është gjatë muajve maj dhe qershor, ndërsa, vjelja e tij fillon tek pas vitit të tretë të mbjelljes, nga mesi i muajit prill e deri në mes të qershorit.

Agronomi Tahirsylaj ka edhe një këshillë për fermerët që merren me kultivimin e perimeve të ndryshme.

Ai thotë se fermerët duhet të jenë të durueshëm sepse jo gjithmonë marrja me bujqësi është rentabile dhe jo gjithëherë çdo gjë varet nga fermeri. Ndonjë vit siç thotë ai, është më i vështirë, por gjithsesi mundi do të shpaguhet.

Intervistën e plotë të Buletinit Ekonomik me agronomin Alkend Tahirsylaj mund ta lexoni në vijim:

Buletini Ekonomik: Jeni ndër të rrallët njerëz, pra fermerë në Kosovë, që ka zënë të kultivojë asparagusin (asparagun), këtë perim aq të përfolur për veçantitë e tij specifike dhe për vlerat ushqyese të tij, por edhe për koston e prodhimit dhe të shitjes së tij. A ia vlenë që në Kosovë të kultivosh këtë perim, akoma të rrallë ndër ne?

Alkend Tahirsylaj: Po në Kosovë ia vlenë që të kultivohet asparagusi, por tashmë çdo prodhues i ri që i futet prodhimit të asparagusit duhet të orientohet vetëm në eksport, sepse sipërfaqet e mbjellura në Kosovë momentalisht i plotësojnë nevojat për konsum të brendshëm, e njëjta vlenë edhe për ne si prodhues ekzistues, nëse e rrisim sipërfaqen duhet të mendojmë vetëm për eksport.

Buletini Ekonomik: Kur mbillet dhe kur ‘piqet”, gjegjësisht kur bëhet për t’u vjelë asparagusi?

Alkend Tahirsylaj: Asparagusi është perim shumëvjeçar, që do të thoë se njëherë mbjellet dhe mund të japë prodhim deri në 20 vite. Koha më e përshtatshme për mbjelljen e asparagusit është gjatë muajve maj dhe qershor. Ndërsa, vjelja fillon pas vitit të tretë të mbjelljes, nga mesi i muajit prill e deri në mes të qershorit.

No description available.

Buletini Ekonomik: Tani keni krijuar goxha përvojë në kultivimin e këtij perimi. 10 vjet, qëkur keni filluar ta kultivoni këtë perim, nuk janë pak. Çka keni për t’iu sugjeruar fermerëve kosovarë, por edhe institucioneve që kanë obligim të suportojnë perimtarët në veçanti, të Kosovës?

Alkend Tahirsylaj: Këshilla e vetme për fermerët është që duhet të jenë të durueshëm sepse jo gjithëherë marrja me bujqësi është rentabile dhe jo gjithëherë çdo gjë varet nga fermeri. Ndonjë vit është më i vështirë, por gjithsesi mundi do të shpaguhet. Ndërsa, institucionet duhet të vazhdojnë me rregullimin e politikave bujqësore në nivel vendi.

Buletini Ekonomik: Për të mbjellë dhe për ta rritur asparagusin në 1,7 hektarë, sa persona angazhoni, qoftë familjarë, apo punëtorë nga jashtë enkas?

Alkend Tahirsylaj: Për kryerjen e punëve në parcelat tona në sezonën e vjeljes, angazhohemi 4-5 persona, familjarë dhe të angazhuar shtesë.

Buletini Ekonomik: Sa fitoni ju me 1,7 hektarë asparagus brenda një cikli prodhues?

Alkend Tahirsylaj: Nga parcelat tona, ne arrijmë që të vjelim mbi 3000 kg.

No description available.

Buletini Ekonomik: Në këtë kontekst, a ia vlenë edhe financiarisht që ta kultivosh këtë perim?

Alkend Tahirsylaj: Edhe pse është sezonë e shkurtër e prodhimit të asparagusit dhe rendimentet në Kosovë nuk janë sa në vendet tjera, përsëri ia vlenë që të kultivohet.

Buletini Ekonomik: A ka treg për këtë sasi tuajën të asparagusit dhe ku e plasoni më shumë, në cilat tregje të Kosovës? Në këtë kontekst, a eksportoni ndonjë sasi të prodhimit tuaj? Dhe sa është çmimi i një kilogrami të këtij perimi në tregjet tona?

Alkend Tahirsylaj: Për sasinë të cilën ne e prodhojmë kemi arritur që të sigurojmë treg. Pjesën më të madhe të prodhimit e shesim në Kosovë, por edhe eksportojmë në sasi më të vogla edhe në Shqipëri dhe Mal të Zi.

Buletini Ekonomik: Pos shpenzimeve elementare rreth kultivimit, sigurimit të farës, ose rasadit, cilat janë shpenzimet e tjera financiare për një fermer për ta kultivuar asparagusin?

Alkend Tahirsylaj: Shpenzime financiare bëhen për çdo punë që kryhet për prodhimin e asparagusit, mirëmbajtjen e parcelave, shitjen etj. Kosto ka për eleminimin e barojave, transportin, pagat etj.

Buletini Ekonomik: Ky perim, sipas përvojave të juaja, a mund të kultivohet në tokat që nuk janë “nën vadë”? Dhe, sa duhet ujitur ky perim gjatë rritjes së tij?

Alkend Tahirsylaj: Po asparagusi mund të kultivohet edhe në tokat e mbi vadës, sepse ujitja e asparagusit nuk bëhet me ujitje sipërfaqësore, por më sistemin “pikë-pikë” të ujitjes, e për këtë sistem nuk ka problem edhe nëse toka është mbi vadë, vetëm se duhet të hapen bunare më të thella.

Buletini Ekonomik: Si e vlerësoni arritjen e rritjes- pjekjes së asparagusit? Në gjatësin e bimës-kërcyellit, në ndryshimin e ngjyrës, apo si?

Alkend Tahirsylaj: Asparagusi vjelet çdo ditë, vjelet fija e asparagusit, e cila ka gjatësi 10 deri në 15 cm.

Buletini Ekonomik: Alkend, sipas mendimit tuaj, pse ka kaq pak në numër kultivues të këtij perimi në mbarë Kosovën?

Alkend Tahirsylaj: Ka kaq pak kultivues të asparagusit sepse asparagusi pasi të mbjellet, për 3 vitet e para nuk jep rendiment, që do të thotë se për ato vite vetëm duhet të investohet në të, pa fituar asgjë. Arsye tjetër e numrit kaq të vogël të kultivuesve është edhe nevoja për angazhim shumë intenziv në kultivimin e asparagusit, d.m.th., kërkohet jashtëzakonisht shumë punë. Arsye tjetër është ndoshta edhe njohuria e pakët e fermerëve për këtë kulturë, duke e marrë parasysh faktin që në Kosovë bujqësia është shumë tradicionale, pak veta pranojnë që të prodhojnë produkte të panjohura për ta. /Buletini Ekonomik/

No description available.

No description available.

No description available.

No description available.

 

Shënim: Alkend Tahirsylaj është me prejardhje nga komuna e Istogut. Me profesion ai është agronom, i diplomuar në nivelin master në drejtimin “Ekonomia e Bujqësisë dhe Ushqimit”, në Universitetin e Prishtinës.